Durrës, 5 shtator 2014 – Policia e Durrësit është në rrugën e duhur për të zbuluar autorët e vrasjes makabre të dy të moshuarave Gjinovefa dhe Elsa Vava, shkruan “Panorama”.
Sipas burimeve të kësaj gazete, ekspertët e krimeve kanë rënë në gjurmët e autorëve dhe shumë shpejt ata do të vihen para drejtësisë për krimin e kryer.
Ndonëse nuk japin detaje rreth autorëve të dyshuar, policia sqaron se po punohet intensivisht duke përdorur metoda të ndryshme, për të arritur tek autorët e krimit horror, i cili tronditi mbarë opinionin publik.
“Jemi në rrugën e duhur për të zbardhur ngjarjen. Ndonëse nuk kemi pasur prova të shumta në dispozicion, sepse autorët kishin punuar me kujdes, shumë shpejt do t’i gjejmë ata. Kemi arritur të sigurojmë me anë të metodave të ndryshme hetimore disa prova, të cilat shpresojmë të çojnë para drejtësisë autorët e krimit”, thanë burime nga grupi i hetimit.
Natën e vrasjes së dyfishtë, në vendngjarje dyshohet se kanë qenë të paktën tre persona, dy prej të cilëve kanë hyrë brenda në banesë, ndërsa i treti ruante jashtë murit rrethues.
Dy personat që kanë hyrë në mjediset e brendshme të shtëpisë nuk kanë lënë asnjë gjurmë gishtërinjsh, por ekspertët po verifikojnë gjurmët e lëna nga këpucët e autorëve.
Dy kunatat Vava, 72 dhe 77 vjeçe, u gjetën të dhunuara e më pas të mbytura me qese plastmasi disa orë pas ngjarjes. Sipas policisë, në banesën e tyre janë grabitur 200 mijë lekë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





