DURRËS, 29 janar 2014 –Shkrimtarja dhe veprimtarja e njohur e kulturës, drejtorja e palodhur dhe tejet e aftë e bibliotekës publike Durrës Flora Gjondedaj (Dervishi) doli në pension. Flora, në këtë detyrë qysh në vitin 1997, ka pasuar një listë të artë figurash të shquara në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar, sikurse janë themeluesi i saj dhe muzeve të rrethit, “babai” i arkeologjisë durrsake, ilirolog me emër evropian Vangjel Toçi (1920-1999); përkthyesi i njohur e studiuesi Pertef Kruja (1921-2004), shkrimtari dhe anëtari i Shoqatës së Historianëve të Mesdheut Hasan Ulqini; përkthyesi dhe aktualisht pedagog i Universitetit amerikan të Nevadës në Las Vegas Pirro Dollani etj. Në bibliotekën e Durrësit prej disa vitesh punon shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi Enton Bido. Flora Dervishin, së cilës i urojmë krijimtari të bollshme, e zëvendësoi Mirela Ylli. Është për t’u vlerësuar fakti se kryetari i bashkisë, prodhues betoni, Vangjush Dako ka pranuar me sinqeritet publikisht se nuk merr vesh nga kultura. Për dy mandate rresht Dakoja ka premtuar ndërtesë të re biblioteke, duke ia shkurtuar fondet për blerje librash. Gjendja e ndërtesës shihet nga copat e tavanit që bien herë pas here mbi tavolinat e lexuesve dhe asaj të drejtorisë (në foto).
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





