DURRËS, 23 gusht 2014 – Të gjeje në Spitalin Rajonal të Durrësit, rezerva ilaçesh pas mesit të muajit gusht, do të ishte një ngjarje që askush nuk do ta besonte si të vërtetë. Këtu barnat mungonin që në muajin maj, pa nisur ende vera dhe problematikat që ajo mbart, treguan mjekët. Aktualisht ky institucion publik mjekimi përmendet për mirë dhe në shkallë vendi. Drejtorja e spitalit znj. Ardiolë Frashëri shpjegon në një intervistë për “Dyrrah”-un mbi ngarkesën e madhe që po përballohet në stinën verore për sa u përket urgjencave.
“Dyrrah”-u:Znj. Frashëri si ka qenë kjo verë, në shërbimin që e prek më shumë atë të Urgjencës?
Ardiolë Frashëri:Që disa muaj më parë, së bashku me stafin, planifikuam nevojat për muajt e verës, që për hir të së vërtetës, sjellin në Durrës mijëra pushues. Duhet ta mendonim çdo kërkesë të trefishuar dhe të ishim të kujdesshëm që rezervat me medikamente të mjaftonin. Dhe sot ja ku jemi duke folur bashkë, për një Urgjencë në gatishmëri në të gjitha drejtimet.
Sa persona kërkojnë ndihmën e parë në Urgjencën e spitalit?
Në këto ditë të nxehta gushti, numri shkon në mbi 200 persona në ditë. Ka një rritje me 70 për qind nga përditshmëria e këtij shërbimi në muajt e tjerë. Por doja të theksoja se ka një ulje të numrit krahasuar me vitet e tjera. Dhe kjo për disa arsye, ku më kryesorja është ngritja e qendrave shëndetësore për sezonin turistik gjatë vijës së bregdetit.
Cilat sëmundshmëri kanë mbizotëruar këtë verë?
Vlen të theksohet se helmimet janë ulur. Mendoj se ka ndikuar puna e bashkisë së qytetit për masat e higjienës, monitorimin e ujit te pijshëm etj. Traumat dhe problemet kardiovaskulare nuk i mungojnë kësaj stine. Megjithatë të gjitha rastet janë përballuar me sukses, duke ulur ditë qëndrimin në spital. Edhe pse nuk është pjesë e bisedës sonë, nuk dua të lë pa përmendur nevojën e respektimit të sistemit të referencës. Qytetarët duhet të mësohen të ndjekin shkallët e parësorit, specialiteteve e pastaj të kërkojnë shërbimin spitalor. Mjeku i familjes duhet të jetë përballja e parë me këdo nga ne.
Ju folët pak për sistemin e referimit, po në fakt dhe qytetet përcjellin shumë pacientë drejt Tiranës…
Më vjen mirë që ma bëtë këtë pyetje. Këtë vit Spitali Rajonal i Durrësit ka deleguar në kryeqytet 50 për qind më pak të sëmurë se vitet e kaluara. Dhe ata pacientë që janë nisur drejt Tiranës kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitalin ushtarak pas një aksidenti apo traume dhe në klinikën e toksikologjisë, shërbime këto unike në të gjithë vendin. Synojmë të përballojmë me kapacitetet tona të sëmurët, pa i detyruar ata të marrin rrugën drejt QSUT-së.
Risi ka qenë këtë vit edhe këndi i asistencës mjekësore në terminalin e pasagjerëve në portin e Durrësit…
Ai është një projekt i IPA Adriatic, ku Spitali i Durrësit bashkëpunon me portin. Ata kanë burimet njerëzore dhe auto-ambulancën, ndërsa ne kemi vendosur në dispozicion infrastrukturën dhe furnizimin me medikamente e material mjekësor. Sigurimi i ndihmës mjekësore para dhe pas udhëtimit është kthyer tashmë në domosdoshmëri, aq më tepër në këto ditë ku lëvizjet janë shtuar ndjeshëm. Fluksin më të madh e presim në fund të muajit me largimin e emigrantëve nga Shqipëria.
Shohim që vazhdoni punën me kapacitet të plotë.
Po është e vërtetë. Kam kërkuar dhe kam gjetur mirëkuptimin e stafit për të marrë lejet e verës me grafik, që të mos ketë mangësi në dhënien e shërbimit për pacientët. Ndërsa për stafin e urgjencës ka pasur dhe shtyrje për më vonë. Këtu shërbimi është përforcuar me personel shtesë, mes të cilëve edhe infermierë vullnetarë.
Info / Shërbimet e ofruara në urgjencë-pranim:
infeksionet akute
astma bronkiale
diabeti
sëmundjet e zemrës
sëmundjet akute pulmonare
sëmundjet akute gastro-intestinale
sëmundjet muskuloskeletale
hipertensioni arterial etj.
Shënim: Fotot dhe ndërmjetësimi i intervistës, mirësjellje e znj. Eridë Gjermeni.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





