DURRES, 28 prill 2013– Në këtë prag sezoni turistik, një shëtitje në plazhin e Durrësit është vërtetë relaksuese, por mund të rrezikosh edhe jetën. Pothuajse i gjithë brezi i rërës, nga Ura e Dajlanit deri tek Iliria popullohet nga makina të shumta, të cilat lëvizin në afërsi të qindra  pushuesve, duke rrezikuar kështu jetën e fëmijëve dhe kalimtarëve të tjerë.

Vija bregdetare  këtë fundjavë është kthyer “de facto” një vend guide për personat që nuk regjistrohen në kurset e autoshkollave për të mësuar drejtimin e mjetin sipas ligjeve në fuqi, apo edhe një pikë kthimi për automjetet e dhjetra personave, të cilët mbërrijnë në këtë zonë turistike për të kaluar një ditë ndryshe.  

Automjetet që zbarkojnë mbi rërën e plazhit dhe zaptojnë bregun e detit, e kanë  shndërruar atë nga një vend shplodhës, në një  vend parkimi automjetesh, apo edhe argëtimi për disa individë të caktuar.  

Të pasigurtë për jetën e tyre, frekuentuesit e zonës turistike, tregojnë se e gjithë vija bregdetare e plazhit është shndërruar në një rrugë testimi, për shoferët e rinj të cilët kanë dëshirë të mësojnë makinën nga të njohurit e tyre, por edhe nga drejtues të papërgjegjshëm. Në të tilla kushte ata i kërkojnë  strukturave  përkatëse të ndërhyjnë në parandalimin e lëvizjes së automjeteve përgjatë brezit të rërës, pasi kërcënojnë sigurinë  e jetës së tyre dhe të fëmijëve.

Nga ana e  strukturave të policisë vazhdimisht paralajmërohen masa drastike për të gjithë ata që shkelin ligjin, por deri më tani asnjë masë nuk është marrë kundrejt këtyre drejtuesve të mjeteve, të cilët refuzojnë të respektojnë tabelat e sinjalistikës, duke shkelur kodin rrugor. E në një kohë që nuk merret asnjë masë konkrete situata mbetet  alarmante.

Aksidentet në plazh, mund të jenë më të shumta se krimet, kjo për shkak të  kthimit në guidë të një prej zonave më të populluara gjatë stinës së verës, e cila kërkon një bashkëpunim më të frytshëm mes pushtetit vendor,  policisë dhe komunitetit. Nga statistikat e marra mësojmë se vite më parë dy fëmijë mbetën  viktima të pakujdesisë së drejtuesve, të cilët si shumë të tjerë kishin zgjedhur bregun e detit për të bërë guidë. Por këto raste nuk kanë qenë të vetmet aksidente, ka patur me dhjetra raste të tjera, por me përmasa më të vogla, të cilat ndodhin në këtë vend, ku në të vërtetë pritet relaks, qetësi dhee siguri.

Pavarësisht se ky problem është diskutuar me dhjetra herë, përsëri mbetet një plagë e hapur e qytetit të Durrësit, e cila vjen si pasojë e neglizhencës ndëshkuese nga strukturat përgjegjëse duke cënuar rëndë sigurinë e jetës së çdo pushuesi.  Këtë e themi, pasi në një kohë që kërkohet më shumë  bashkëpunim me organet e pushtetit vendor e komunitetin, në drejtim të vendosjes së  tabelave treguese që ndalojnë qarkullimin e mjeteve në brezin e rërës, shembullin e parë më të keq e japin vetë punonjësit e rendit. Ata të cilët të parët duhet të zbatojnë ligjin, të cilët në përtesë për të patrulluar në këmbë, lëvizin me makinë përgjatë brezit të rërës. E në pritje që strukturat e policisë të ndërgjegjesohen dhe bashkë me ta edhe drejtuesit e mjeteve,  për të vënë mbi të gjitha ligjin, pushuesve nuk iu mbetet gjë tjetër veçse të kujdesen vetë për veten e tyre.

/e.a. Agjencia Lajmeve "Dyrrah"/