Nga Gjergj Thanasi

Durrës, 20 maj 2014– Në orët e vona të së premtes, datë 16 maj, në mediat shqiptare filloi të “rridhte” lajmi për një anije të vogël, që lundronte nga Vlora drejt Durrësit me një ngarkesë të konsiderueshme cigaresh. Të nesërmen, Porti i Durrësit u bë vend pelegrinazhi për mediat dhe skenë, ku zonjusha Spiropali jepte spektaklin e radhës për sukseset spektakolare të doganave shqiptare. Zonjusha e doganave madje deklaroi në mënyrë krejt të gabuar vlerën e cigareve 10 milionë dollarë. Nëse do ta vlerësojmë me 1 dollar paketën, këtë markë mjaft inferiore  cigaresh, kemi një shumë totale prej 2,4 milion dollarësh, pra sa çereku i shumës së deklaruar kuturu nga Drejtorja e Doganave Shqiptare. Çdo doganier me minimumin e njohurive të “zanatit” e di që përllogaritja për cigaret bëhet një ton 50 000 paketa (paketa me gjatësi normale cigaresh me kapacitet 20 fije për paketë). Me makinë llogaritëse mund të bëhej shumëzimi dhe të nxirrej shifra e saktë. Jo për ndonjë gjë, por kur partnerëve euro- atlantikë u jepet informacioni me shifrat 48 ton cigare dhe 10 milionë dollarë fillojnë e nënqeshin se si specialistë që janë nuk e hanë sapunin për djathë edhe nëse sapuni këtë herë ishte bërë me vaj ulliri, prodhim Qeparoi.

Në pamje të parë ishte vërtet goxha sukses. Në anije gjendeshin 48 ton cigare të markes “President”, me ambalazh blu dhe të kuq, pa pullë fiskale. Mjafton termi pa pullë fiskale, që apriori cigaret të konsideroheshin mall kontrabandë, pra të binin tamtamet e fitores mbi kontrabandistët ndërkombëtarë. Anija dhe ngarkesa e saj realisht ishin të dyshimta, por dyshimi nuk mjafton, veçanërisht, kur bëhet fjalë për sasi të konsiderueshme parash, dhe kur çështja ka edhe dimensione ndërkombëtare.

Anija në fjalë “ERA 1” me flamur tanzanian, me ekuipazh ukrainas (8 vetë), ishte një vjetërsirë 28 vjeçare, prodhim i kantierit detar Durrës, që ndër vite kishte ndërruar të paktën me dokumenta nja 6 pronarë, shtetërorë dhe privatë, shqiptarë dhe të huaj. Pronari aktual i anijes ishte një firmë e e regjistruar në “parajsën fiskale” të ishujve Marshall, firmë tipike që klasifikohet si “front company”, firmë mimetizuese.

Anija gjatë lundrimit kishte bërë një ndalesë të gjatë e të dyshimtë pranë ishullit grek të Zakintos (Prefektura e Korfuzit). Gjatë udhëtimit, në kundërshtim me legjislacionin detar, anija e kishte fikur sistemin e detektim –monitorimit AIS. Komunikimi i saj me kapiteneritë e porteve dhe me stacionet e radiondërlidhjes bregdetare me radio të tipit VHF po ashtu ishte problematik.

Ngarkesa e cigareve ishte marrë në Portin e Famagustës në Qipron turke. Port ky i listuar si problematik  për trafikimin e kontrabandimin e cigareve veçanërisht ato pa licencë, imitime të fallsifikuara të markave të famshme. Autoritetet greke, italiane, franceze këto 3 vitet e fundit kanë kapur sasi jo të vogla cigaresh me origjinë portin e Famagustës, kryesisht prodhime falso të fabrikave turke të cigareve. Shërbimet e vendeve aleate të NATO-s të paktën, që nga vera e vitit 2013 kanë mbajtur nën vëzhgim anije vjetërsira të nisura apo, që priteshin të niseshin nga portet qipriote, të ngarkuara me cigare kontrabandë, vaj motorri etj. Dokumentacioni shoqërues i mallit si manifesti i ngarkesës dhe polic-ngarkesa po ashtu ishin të dyshimta.

Destinacioni i pretenduar i mallit ishte Porti i Tivarit (Bar) në Mal të Zi. Mali i Zi ka një emër jashtëzakonisht të keq, përsa i përket kontrabandës së cigareve drejt brigjeve të Puljes. Ende sot vazhdon në Bari të Italisë gjyqi kundër elementëve të Kamorrës napoletane dhe mafies puljeze, si edhe individëve të ndryshëm malazezë të përfshirë në kontrabandë masive cigaresh. Nga Mali i Zi ka pasur vazhdimisht dy vitet e fundit prodhim pa licencë dhe kontrabandim cigaresh të markës “Cleopatra’ drejt porteve egjiptiane si Aleksandria, Port Saidi, Damjeta etj. Qartazi edhe destinacioni i cigareve të anijes “ERA 1” është problematik, nëse aplikohet metoda e profilit të rrezikut.

Njësoj si në proverbin gjirokastrit: Dhentë e dhitë e Zeres, nami i Hasan Qeres, nami për luftën e spikatur antikontrabandë i mbeti doganave shqiptare. Vetë kryeministri nëpërmjet tuiterit i bëri elozhe doganave shqiptare, të cilat tashmë nuk blihen me para si më parë. Në fakt merita e doganave, përveç anës burokratike të përpilimit të shkresave për bllokimin e anijes në Durrës dhe sekuestrimin e mallit, (ligji ia njeh tagrin e sekuestrimit vetëm doganave në zonën doganore), nuk dukej gjëkundi në rastin e anijes “ERA 1”. Anija ishte strehuar në Vlorë për “Forcë madhore”, si rrjedhojë e motit mjaft të rënduar. Pasi kishte shkelur ligjin mbi kapitaneritë e porteve, duke u larguar nga Gjiri i Vlorës pa lajmëruar paraprakisht dhe pa marrë leje, kapiteneria e portit Vlorë (në varësi të Ministrisë së Transporteve) dha alarmin. Roja bregdetare në varësi të dikasterit të Mbrojtjes bëri interceptimin e anijes dhe shoqërimin e saj për në Durrës d.m.th. alarmin për anijen dhe kapjen e saj e bënë organizma në varësi të dikastereve të tjera jo të Ministrisë së Finacave.

Zyrtarisht nuk u tha asnjë fjalë as për vartësit e Ministres Kodheli as për ato të Ministrit Haxhinasto. Meritat i mori dogana shqiptare, përkatësisht zonjusha Spiropali. Çuditërisht Ministri Cani, një stekë e vjetër e financave dhe politikës shqiptare, zgjodhi t’i bënte bisht “lavdisë” së kapjes së kësaj kontrabande. Gjatë vizitës së tij bashkë me Ministrin Tahiri në Portin e Durrësit, ku nuk doli ta priste as edhe një doganier i vetëm, z. Cani çuditërisht me këmbëngulje evitoi të bënte çfarëdo lloj komenti për anijen “ERA 1”.

Avokati i pronarëve malazezë të cigareve z. Idlir Tivari ngul këmbë, që nuk ka kontrabandë cigaresh, sepse malli ishte i destinuar për në Mal të Zi, jo për tregun shqiptar. Sipas tij, anija hyri në Vlorë për t’u mbrojtur nga koha e keqe, jo për të bërë kontrabandë. Një pretendim i tillë mbështetet edhe nga gjendja e detit 5-6 ballësh ditën, kur anija hyri në Gjirin e Vlorës. Për më tepër kemi të bëjmë me një anije të vjetër (28 vjeçare), me tonazh të vogël, vetëm 500 ton DWT. Të gjithë këto faktorë seriozisht e rrezikonin anijen, ngarkesën e saj dhe jetën e ekuipazhit, pra sipas ligjit detar ndërkombëtar e justifikonin plotësisht hyrjen e anijes në ujërat territoriale shqiptare për strehim nga moti i keq. Avokati Tivari pretendon se  dokumentat origjinale, që provojnë destinacionin malazez të cigareve do të mbërrijnë së shpejti nga Podgorica.

Me ndalimin e kapitenit të anijes nga gjyqësori shqiptar, kemi komplikim të gjendjes. Me patjetër do kemi një proces gjyqësor për kontrabandë mallrash, që paguajnë akcizë, proces ky që fillon nga dhënia e masës së sigurisë këtë të martë. Kapiteni dhe ekuipazhi kanë matrikuj lundrimi ukrainas, por nga që janë qytetarë të Krimesë ata kanë kërkuar mbrojtjen e interesave të tyre nga Ambasada ruse në Tiranë. Episodi i cigareve të “Era 1” merr kështu një dimension ndërkombëtar. Ukraina e mbulon Shqipërinë me ambasadën e saj në Greqi dhe Konsullin e nderit në Shqipëri z. Xhevat Rira. Kjo ambasadë është informuar nga gazetarët shqiptarë për peripecitë e ekuipazhit me matrikuj lundrimi ukrainas të anijes “ERA 1”.

Në Tiranë, Ambasada Ruse është me personel të shtuar dhe mjaft të kualifikuar e me përvojë në profesionet e tyre përkatëse. Në këtë mënyrë ka shumë gjasa, që në Durrës për shkak të “Operacionit anti duhan Spiropali” të kemi një përplasje diplomatike Kiev-Moskë. Gazetarët shqiptarë kanë informuar me e-mail edhe Shkëlqesinë e tij z.Ferhat Dinosha, Ambasador i Malit të Zi, në Tiranë, për sagën e anijes “ERA 1”.

Në Mal të Zi, e përditshmja me tirazh më të madh “DAN” e ka bërë publik rastin e anijes “ERA 1”. Nëse vërtet malli ka pronarë malazezë, atëhere ata duhet të jenë të fuqishëm dhe me ndikim të madh në Kabinetin e Z.Gjukanovic. Një ndikim i tillë nuk është çudi të çojë në demarshe zyrtare të palës malazeze te ajo shqiptare, për lirimin e anijes dhe të cigareve. Nëse ndikimi malazez nuk e zhvendos nga pozicionimi aktual administratën Rama, nëse gjykata i jep të drejtë doganave shqiptare gjithçka është O.K.

Në të kundërtën kemi të bëjmë me rastin klasik që dhjetra duar zgjaten për të vënë mbi krye dafinat e fitores, por askush nuk del vullnetar për të veshur qyrkun e fajit. Në këtë rast natyrshëm lind pyetja: Kush do i paguajë shpenzimet e ngarkim- shkarkimit, transportit e magazinimit të cigareve të anijes “ERA 1”????

P.S.

Në Shijak e në fshatrat rreth Shijakut madje edhe nëpër rrugë ka një vërshim shitje paketash me cigare të markës “ President” me ambalazh të kuq e blu, pa pullë fiskale. Çmimi është mjaft i lirë. Me pakicë shkon 90 – 95 lekë paketa. Mund të jetë koincidencë, se mund te kenë hyrë sasi të tjera cigare kontrabandë të kësaj marke, por po nuk qe koincidencë, atëhere me 48 tonët e cigareve të anijes “ERA 1“ është bërë një autogol në portën e mbrojtur nga “portieri” Rama. Autogol ky i krahasueshëm me atë të mbiquajtur “Divjaka Airlines”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/