DURRËS, 26 dhjetor 2014 – Edhe në ditët e fundit të vitit 2014, punonjësit e drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK) të Durrësit, që ka sektorë edhe në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Krujë, janë në veprimtari të plotë.
Kështu, sikurse bëhet e ditur, në bashkëpunim me specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe specialistët e sektorit të Elbasanit u realizua ndërhyrje konservuese në muret e bazilikës së Bezistanit. Me këtë rast u bë mbulimi me material gjeo-tekstil i fragmenteve që përmbajnë gjurmë të afreskut. Kjo ndërhyrje ka për qëllim ruajtjen e gjurmëve të afreskut nga lagështia dhe nga ngricat si dhe mbrojtjen e tyre.
U zhvillua një takim i administratorëve të trashëgimisë jomateriale dhe edukimit të sektorit të Tiranës me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit”, ku u diskutua me klasën IX mbi “Sitet arkeologjike të vendit tim”. Aktorët kryesorë në diskutim ishin vetë adoleshentët që sollën materiale nga autorë të ndryshëm.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





