· Punonjësit heqin ferrat e barërat në Zgërdhesh të Krujës në temperaturat e larta
18 shtator 2015 – Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) të Durrësit, që mbulon edhe Krujën, Tiranën, Elbasanin dhe Fierin, i ka dalë punë e madhe në mirëmbajtjen e dhjetëra monumenteve të kulturës në një hapësirë shumë të gjerë. Pasi kanë punuar paralelisht në disa punime pastrimi nga vegjetacioni (ferrat, bimët e ndryshme), punonjësit e saj kanë shkuar dhe në Zgërdhesh të Krujës.
DRKK-ja Durrës tha se punonjësit po pastrojnë tani nga vegjetacioni dhe po bëjnë punime mirëmbajtjeje në fshatin Zgërdhesh të Krujës. Është një punë voluminoze, ajo që po bëhet, pasi dhe sipërfaqja nuk është e vogël, ku problemi kryesor janë temperaturat e nxehta të këtyre ditëve, të cilat e vështirësojnë procesin e punës.
Info
Zgërdheshi është fshat i Krujës, pranë të cilit ndodhen rrënojat e një qyteti ilir, të identifikuar me Albanopolin. Gërmimet dëshmojnë se është zhvilluar mbi bazën e një vendbanimi protourban. U shndërrua në qytet në fundin e shek IV p.e.s. Albanët ishin fisi ilir, nga të cilët morën emrin e hershëm shqiptarët. Përmendet për herë të parë si Albanoi në shek II nga Ptolemeu, i cili i vendos në shpinë të Dyrrahut deri te Malet Kandave (malet e Polisit) në lindje, brenda trevës së banuar më parë nga fisi ilir i parthinëve. Mendohet të jetë i njëjti fis me emrin e ri të përkthyer parthinoi=bardhinoi=albanoi, bardh=alb (nga latinishtja e vjetër).
/red. th. m. portali DurresLajm/