Zbulohet një rast i tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike përmes portit të Durrësit.

Sektori i Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Departamentin Operativo- Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave kanë goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Efektivët e policisë kanë sekuestruar 130 kg Cannabis Sattiva dhe kanë arrestuar në flagrancë një shtetas dhe shpallur në kërkim një tjetër.

Në pranga ka përfunduar shtetasi Edmond Xhaja, 48 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit në automjetin tip Benz, kamionçinë, me targa AA 143 NC, në brendësi të ngarkesës me konfeksione, me drejtues shtetasin e mësipërm, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës material 100 pako me rreth 130 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të firmës së konfeksioneve, shtetasit A.X. 50 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi i mësipërm është organizatori i trafikimit të lëndës narkotike me destinacion Italinë.

Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet do t'i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale”Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë  parashikuar nga neni 283/a/2 dhe 22 të Kodit Penal.