Durrës, 12 korrik 2014 – Nuk duhej t’i afrohej banesës për një muaj, por kjo se ka penguar aspak një 36 vjeçar të ofendojë dhe kanosë gruan e tij, po 36 vjeçare.

Mësohet se çifti kishte prej kohësh probleme, aq sa bashkëshortja A.S. i ishte drejtuar gjykatës së Durrësit për të kërkuar urdhër mbrojtjeje nga bashkëshorti i saj i dhunshëm.

Duke shqyrtuar provat e paraqitura në gjykatë, gjyqësori kishte vendosur për 36 vjeçarin I.S. që të mos i afrohej shtëpisë ku banonte çifti për një muaj.

Vendimi mban datën 8 korrik, por 36 vjeçari nuk ka dashur të presë aq gjatë.

Kur kishin kaluar vetëm 48 orë nga vendimi i gjykatës, ai ka shkuar në shtëpinë e tij në lagjen nr.6 të qytetit dhe ka nisur të konfliktohet verbalisht me bashkëshorten e tij.

Kjo e fundit ka marrë menjëherë në telefon policinë, e trembur se ofendimet dhe kanosjet e burrit të saj mund të degjeneronin edhe më tej.

Efektivët e policisë kanë mbërritur në banesë dhe kanë shoqëruar për në komisariat 36 vjeçarin I.S., ndaj të cilit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë me akuzën “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/