Durrës, 10 korrik 2014 – Një ditë më parë, në komisariatin e policisë së Durrësit, është paraqitur 71 vjeçari F.S., i cili ka denoncuar para efektivëve të rendit se ishte mashtruar nga një 55 vjeçar nga Durrësi.
Çështja për të cilën bëhet fjalë i ka fillesat e saj në prill të vitit 2007. Në atë kohë, 71 vjeçari F.S. kishte blerë nga shtetasi I.K. një apartament 87 metra katrorë kundrejt shumës 40 mijë euro. Megjithëse 71 vjeçari kishte bërë pagesën, ai nuk kishte plotësuar dokumentacionin përkatës me pronarin e apartamentit, pra nuk kishte marrë akt shit-blerjen. Menjëherë pasi kishte menduar se apartamentin e kishte bërë të vetin, i moshuari ishte larguar drejt Italisë.
Nga vendi fqinjë ai ishte kthyer pak ditë më parë dhe me çelësa në duar vrapin e kishte mbajtur tek apartamenti që kishte blerë 7 vite më parë.
Por kur kishte provuar të hapte derën, çelësi nuk futej në bravë. I suprizuar nga kjo gjë ai ka tentuar sërish, por është habitur më shumë kur dera i është hapur nga një tjetër shtetas M.Sh.
Ky i fundit i është prezantuar si pronari i apartamentit dhe i ka vënë përpara dokumentacionin e rregullt dhe hipotekën për banesën e blerë.
Në ato momente 71 vjeçari F.S. ka kuptuar se ishte mashtruar nga 55 vjeçari durrsak dhe ka bërë kallëzim në polici për këtë të fundit.
Burime policore bëjnë të ditur për “Dyrrah” se kanë nisur procedimin penal në mungesë për 55 vjeçarin mashtrues dhe po punojnë për zbulimin e vendndodhjes së tij.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





