Dy aksidente rrugore të regjistruara në qarkun e Durrësit në 24 orët e fundit kanë shkaktuar 3 të plagosur, që e çon në 5 numrin e përsonave të plagosur, së bashku me dy të rinjtë e përfshirë në aksident në rrugën e re të portit, të cilin DurrësLajm e raportoi më herët (Lexo këtu).
Sipas policisë së Durrësit, në një aksident të regjistruar në lagjen nr.17, një 51-vjeçar nga Lushnja është përplasur me mjetin e tij tip Benz me mjetin tip “Volkswagen”, me drejtuese shtetasen S.A, vjeç 26, banuese në Durrës.
Nga përplasja është dëmtuar drejtuesja e mjetit “Volkswagen”, shtetasja S.A e cila ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë në fshatin Luz, në rrethin e Krujës, ka ndodhur e kundërta. Një mjet “Volkswagen”, i drejtuar nga shtetasi Sh.B., 52 vjeç, ka goditur mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin B.D, vjeç 21, banues në Fushë Krujë.
Për pasojë janë aksidentuar dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se policia ka nisur procedimin penal për 51 vjeçarin nga Lushnja dhe 52-vjeçarin nga Kruja.





