DURRES – Vazhdojnë rrëshqitjet e dheut në Kodër Vilë. Dy shtëpi pranë Kinoteatrit Veror janë mbuluar nga sasi të mëdha dheu të rrëshqitura nga kodra. Situata paraqitet mjaft e rënduar, por mjetet e pushtetit lokal dhe shtabit të emergjencave nuk mund të ndërhyjnë për shkak të terrenit të thyer.
Shefi i shtabit të emergjencave, Artur Lekbello, deklaroi sot se familjeve u është bërë thirrje të largohen nga aty dhe të vendosen pranë Kovaleshencës, në Plepa, por ata nuk kanë pranuar. Nëse reshjet e shiut vazhdojnë situata mund të përkeqësohet edhe më shumë për këta banorë.
Situatë e vështirë është krijuar edhe në aksin rrugor që të çon drejt Currilave. Rrëshqitjet e dheut nga faqja e kodrës kanë bllokuar njërën korsi të rrugës duke krijuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në këtë aks. Fenomeni i rrëshqitjes nuk është aspak i ri në këtë zonë dhe situata po përkeqësohet vit pas viti.





