10 qershor 2015 – Dy monumentet e “gladiatorëve”, me lartësi 3 metra secili, janë ende në pritje të një “shtëpie të përhershme”.

Veprat monumentale të skulptorit Janaq Paço ndodhen që prej dy vitesh në oborrin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, por ende nuk ka një vendim se cili do të jetë mjedisi publik ku ato do të instalohen.

Dy figurat monumentale u porositën në fillim të viteve 1970 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, i cili në atë periudhë drejtonte sistemin e muzeve të rrethit të Durrësit.

“Gladiatorët” e punuar nga skulptori i njohur Janaq Paço synonin krijimin e atmosferës antike e mesjetare në sheshe dhe lulishte publike të qytetit.

Taselat prej allçiu të veprës kanë qëndruar deri në vitin 2005 në mjediset e Muzeut Arkeologjik të Durrësit. Ato u derdhën në beton artistik në kryeqytet para disa vitesh dhe u rikthyen në Durrës dy vjet më parë.

Gjatë kësaj periudhe bashkia dhe institucionet e trashëgimisë kulturore nuk vendosën dot për vendin ku do të instaloheshin veprat monumentale të skulptorit Paço. Duke iu referuar porosisë së ish-drejtorit Vangjel Toçi, muret mesjetare dhe amfiteatri antik janë vendet e mundshme për dy luftëtarët e derdhur në beton artistik.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/