2018 duket se ka nisur me këmbën ters, të paktën përsa i përket marrëdhënieve familjare. Që nga dita e parë e tij e deri sot kur mbushet plot një javë nga viti i ri, në komunikatën ditore të policisë së Durrësit nuk kanë të ndalur raportimet për dhunën në familje, në të cilat, në pjesën më të madhe të rasteve, femrat janë personi i dhunuar.

Edhe në fundjavë, panorama nuk ndryshon aspak. Dy gra i janë drejtuar policisë së Durrësit për të denoncuar dhunën e ushtruar nga bashkëshortët ndaj tyre.

Nga ana e saj, policia i është drejtuar gjykatës me kërkesën për t’i pajisur dy femrat e dhunuara V.N. 24 vjeçe dhe Y.R. 41 vjeçe me urdhër mbrojtje.

Ndaj dy bashkëshortëve dhunues ka nisur procedimi penal.

Njoftimi i policisë:

  • Më datë 06.01.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen V.N., vjeç 24, banuese në Durrës, pasi dyshohet se bashkëshorti L. N.,  vjeç 28, banues në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.
  • Më datë 06.01.2018, 16:40, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e Urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen Y.R.,  vjeç 41, pasi dyshohet se bashkëshorti A.R., vjeç 45, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.