DURRËS, 22 shtator 2014 – Ndonëse togat e zeza ua kishin marrë në mbrojtje gratë nga dhuna e tyre, një durrsak dhe një librazhdas vazhdojnë “avazin” e keqtrajtimit, por policia u ka vënë hekurat.
Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut të Durrësit bën të ditur se të dielën, më 21 shtator 2014, u arrestua në flagrancë 45-vjeçari Ilir Bardheti, banues në Durrës, teksa, rreth orës 18.30, ka shkuar në lagjen nr. 18 Durrës, te banesa e prindërve të bashkëjetueses së tij 40-vjeçare, e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga gjykata e rrethit Durrës një ditë më parë, të shtunën, më 20 shtator 2014.
Kurse të shtunën, më 20 shtator 2014, u arrestua në flagrancë Ilmi Omeri, 39 vjeç, banues në Librazhd. Dyshohet se të premten, më 19 shtator 2014, rreth orës 22.00, ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij 35-vjeçare, banuese në Durrës, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga gjykata e rrethit Durrës deri më datë 26 shtator 2014; librazhdasi e ka mbajtur durrsaken të mbyllur për disa orë në dhomën e gjumit nën kërcënimin e një thike.
Gjatë fundjavës u plotësua 8 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për gra të prekura nga dhuna në familje.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





