Durrës, 28 prill 2014 – Fenomeni i dhunës në familje ka qenë prezent gjatë fundjavës në 6 familje të qytetit të Durrësit. 6 femra kanë denoncuar pranë efektivëve të rendit dhunën e ushtruar nga djemtë, bashkëshortët madje dhe tezet ndaj tyre.

Gjatë fundjavës, policia e Durrësit ka plotësuar Kërkesë-Padinë për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së menjëhershme për dy nëna, përkatësisht 62 dhe 65 vjeçe, të cilat janë dhunuar nga djemtë e tyre, shtetasit S.F., 32 vjeç dhe K.D., 34 vjeç.

Mosmarrëveshjet dhe konfliktet në familje kanë bërë që një shtetase 28-vjeçare, banuese në Durres, të denoncojë në komisariat tezen e saj E.Xh., 62 vjeçe, e cila, sipas paditëses, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.

Ndërkohë 3 raste të tjera dhune janë evidentuar mes bashkëshortëve. Në të tre rastet kanë qenë gratë që kanë denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike të ushtruar në mënyrë sistematike nga burrat e tyre.

Rastet e dhunës mes bashkëshortëve:

Një shtetase 30-vjeçare, banuese në Durrës, ka denoncuar bashkëshortin e saj, shtetasin A.Xh., 33 vjeç, sepse ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike sistematikisht ndaj saj.
Një shtetase 35-vjeçare, banuese në Durrës, ka denoncuar bashkëshortin, shtetasin A.M., 39 vjeç, për ushtrim dhune fizike e psikologjike ndaj saj.
Një shtetase 31-vjeçare, banuese ne Durrës, ka deklaruar se ndaj saj ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike bashkëshorti F.R., 36 vjeç.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/