DURRËS, 21 dhjetor 2014 – Për shkak të pozicionit gjeografik, Durrësi merr një peshë të madhe në ekonominë shqiptare me investimet private, që kontribuojnë dhe në bilancin tregtar të vendit, me eksportet, duke çarë tregje të mëdha perëndimorë euro-atlantike, sikurse ndodh me dy sipërmarrjet, një në Maminas dhe tjetra në Plazh.

Amerikanët “falen” për sherbelë në… Maminas

Sipërmarrja “Xherdo” shpk, në Maminas, merret me grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e bimëve mjekësore-aromatike; është përfituese e skemës “Mbështetje 50% e Investimit”, ku nëpërmjet bashkëfinancimit ka realizuar rikonstruksionin dhe ngritjen e kapaciteteve grumbulluese, magazinuese dhe përpunuese të bimëve mjekësore të prodhuara dhe mbledhura nga fermerët vendas.

Gjatë vitit 2014, pas rikonstruksionit të kryer dhe investimeve të reja, “Xherdo” shpk thithi investitorët e parë amerikanë, kompaninë më të madhe në botë të përpunimit të sherbelës “Kalustyan”, e cila i dha ekskluzivitetin për eksportin në SHBA, duke formuar shoqërinë e re për përpunim e bimëve aromatike mjekësore në standardet amerikane “Albkalustyan”.

Pas investimeve të reja është rritur ndjeshëm kapaciteti prodhues, si dhe punësimi. Kjo firmë bashkëpunon me 2 500 mbledhës dhe fermerë për bimët aromatike-mjekësore, një rrjet me furnizues për bimë mjekësore-aromatike, që shtrihet në të gjithë qarqet e Shqipërisë.

Italianët, grekët, spanjollët blejnë peshk në… Plazh

Firma “Koral Fish” shpk operon në sektorin e përpunimit të produkteve të detit që nga viti 1994. Prej shumë vitesh kompania operon dhe në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në atë italian, marrëdhëniet me të cilën janë intensifikuar së tepërmi vitet e fundit. Produktet e ofruara nga “Koral Fish” shpk janë produkte me origjinë vendi dhe importi. Gama e gjerë e produkteve përfshin produkte të freskëta dhe të ngrira duke plotësuar kështu nevojat e një numri të madh konsumatoresh. Që prej themelimit janë bërë përmirësime progresive për sa i përket zgjerimit të hapësirave të aktivitetit dhe përshtatjes së normave të punës dhe cilësisë së produkteve me të gjitha standardet e Komisionit Evropian.

Një përparësi të madhe biznesit i jep dhe vendndodhja e stabilimentit, pranë portit të peshkimit. Për me tepër zotërimi i anijeve të peshkimit i jep mundësi “Koral Fish”-it për peshkim në detin Adriatik dhe Jon, duke garantuar kështu një itinerar të shkurtër nga momenti i peshkimit deri në fazat e përpunimit dhe ruajtjes. Stabilimenti i ri me një imazh bashkëkohor u përurua në vitin 2008. Sipërfaqja e zhvillimit të aktivitetit është 6000 m², ndërsa baza ftohëse zë një hapësirë prej 5000 m³. Teknologjia e përdorur është mjaft bashkëkohore, gjë që i krijon kompanisë një avantazh konkurrues. Ka dy anije me motor 850 kuaj-fuqi, me thellësi peshkimi 30 m – 600 m. Ka 100 punonjës. Sipas të dhnëve të referuar në organizata ndërkombëtare, “Koral Fish”-i përpunon rreth 800 tonë peshk dhe prodhime deti në vit, importon 5.5 milionë euro peshk e produkte, eksporton 4 milionë euro, kryesisht në Itali, Spanjë, Greqi.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/