· Disa shoqëri pjesëmarrëse kanë pasur mangësi në dokumentacionin standard që dorëzohet në rrugë elektronike
· Dy-tre operatorë ofertues kanë përdorur mediet për trysni, pasi ato e dinë fare mirë, që “ka dava Janina”, domethënë, operatori ekonomik ose tenderuesi, si dhe çdo person që ka ose ka pasur interes në një procedurë prokurimi publik, ankandi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga një vendim i autoritetit kontraktues, i marrë në kundërshtim me ligjin, mund ta kundërshtojë vendimin
· I bie që “Curri” shpk për ankimimin e bërë më 3 korrik 2014 për tenderin e zhvilluar më 22 maj 2014, të marrë përgjigje zyrtare, maksimumi, brenda 20 ditëve, më 23 korrik 2014
· Operatorët e tjerë që kanë bërë zhurmë në shtyp, deri më 11 korrik 2014, nuk janë paraqitur në KPP
Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 11 korrik 2014 – Thjesht, disa nga firmat pjesëmarrëse në dy tenderët e bashkisë së Durrësit, prokurime të përfolura në shtypin e shkruar, kanë pasur mangësi në dorëzimin e dokumentacionit.
Siç ka shkruar dhe “Dyrrah”-u, ndonëse tenderët për ndërtimin e rrugës së re paralel me murin e portit (i zhvilluar më 26 maj 2014) dhe ai i realizimit të korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” në Plazh (i zhvilluar më 22 maj 2014), ende nuk është bërë shpallja zyrtare e fituesve për shkak të kohës së gjatë që duhet sipas procedurave.
Natyrisht, është bërë një renditje, firmave fituesve dhe humbëse, apo të shkualifikuara u janë bërë të ditura arsyet, gjë që ka ngjallur debate dhe pakënaqësi.
Në rrugë jozyrtare “Dyrrah”-u mësoi në bashki se disa shoqëri ndërtimi pjesëmarrëse kanë pasur mangësi në dokumentacionet, që janë standarde dhe dorëzohen në rrugë elektronike dhe se nuk mund t’i bëjnë publike faktet, pa u shprehur KPP-ja dhe APP-ja.
“DAVAJA E JANINËS”
Dy-tre operatorë ofertues kanë përdorur mediet për trysni, pasi ato e dinë fare mirë, për shkak të përvojave të ngjashme në dhjetëra procedura prokurimi, ku kanë marrë pjesë më parë, që “ka dava Janina”, domethënë, operatori ekonomik ose tenderuesi, si dhe çdo person që ka ose ka pasur interes në një procedurë prokurimi publik, ankandi dhe kur është dëmtuar ose rrezikohet të dëmtohet nga një vendim i autoritetit kontraktues, i marrë në kundërshtim me ligjin, mund ta kundërshtojë vendimin.
Ankesa për procedurat e prokurimeve dhe ankandeve i paraqitet, së pari, me shkrim, autoritetit kontraktues në fjalë (në këtë rast, bashkia Durrës) brenda 7 ditëve që nga dita kur ankimuesi është vënë në dijeni ose duhet të ishte vënë në dijeni për shkeljen e pretenduar, sipas ligjit.
Nëse autoriteti kontraktues (në këtë rast, bashkia Durrës) nuk shqyrton ankesën brenda afatit kohor të përcaktuar në ligj, ose e refuzon atë, ankimuesi mund të paraqesë një ankesë me shkrim në Komisionin e Prokurimit Publik brenda 10 ditëve nga dita e nesërme e punës, pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar, ose, në rast se ankesa nuk pranohet nga autoriteti kontraktues, që nga dita kur ankuesi është njoftuar nga autoriteti kontraktues. Një kopje me shkrim e ankesës i dërgohet edhe autoritetit kontraktues (në këtë rast, bashkia Durrës).
Ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik bëhet me formularin përkatës, ku shënohen emri dhe adresa e ankuesit, referimi për procedurën konkrete, baza ligjore dhe përshkrimi i shkeljes, pretendimi i ankuesit për vendimin përfundimtar, shkallët e ankimit, shoqëruar me dokumentacionin përkatës dhe vendimin e autoritetit kontraktues. Elementet e mësipërme janë të domosdoshme për shqyrtimin e ankesës.
Me marrjen e ankesës me shkrim, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të sigurohet që autoriteti kontraktues e ka pezulluar procedurën e prokurimit, ankandit apo koncesionit deri kur, Komisioni i Prokurimit Publik udhëzon ndryshe autoritetin kontraktues.
Me marrjen e ankesës me shkrim të ankimuesit, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë vendim brenda 20 ditëve për procedurat e prokurimeve dhe ankandeve, ndërsa brenda 30 ditëve për procedurat e koncesioneve. Vendimet duhet të publikohen në faqen e KPP-së. Vendimi i KPP-së është përfundimtar dhe i detyrueshëm.
Ankuesi ka të drejtë, që kundër vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit apo plotësimi i afatit të caktuar, e kur ky komision nuk e ka shqyrtuar ankimin, të bëjë padi për shqyrtim të mosmarrëveshjes administrative në gjykatën përkatëse. Shqyrtimi i këtij ankimi në gjykatë nuk pezullon procedurat e prokurimit publik, ankandeve dhe koncesioneve.
VETËM NJË!
Me sa u trajtua me hollësi më sipër, “Dyrrah”-u bëri verifikimet përkatëse dhe doli se në KPP, deri më 11 korrik 2014, ka pasur vetëm një ankimim dhe ky për njërin nga dy tenderët.
Më 3 korrik 2014, me nr. 1187 protokolli, ofertuesi “Curri” shpk ka paraqitur ankimimin e vet në KPP (Komisioni i Prokurimit Publik) për tenderin e realizimit të korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” në Plazhin e Durrësit [shih faksimilen e print-screen-it të faqes së Komisionit të Prokurimit Publik www.kpp.gov.al/ppadv/Korrik_2014.aspx].
I bie që “Curri” shpk të marrë përgjigje zyrtare për ankimimin, maksimumi brenda 20 ditëve, pas dorëzimit të kundërshtimit, më 23 korrik 2014.
Ndërkaq firmat e tjera që kanë bërë zhurmë në shtyp, deri më 11 korrik 2014 nuk kanë paraqitur ankimim në KPP.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





