DURRËS, 1 dhjetor 2013 – Deti i egërsuar shkakton probleme në orarin e trageteve. Dy tragetet e linjës Bari-Durrës nuk janë nisur natën e kaluar nga Italia për shkak të detit të trazuar me forcë 8, ndërsa për të njëjtat arsye vonesa të mëdha do të ketë edhe në mbërritjen e tragetit të linjës Trieste-Ankona-Durrës. Kapiteni i portit të Durrësit, Hysni Aruçi, i cituar nga Gëzim Kabashi i ATSH-së, ka thënë se kapitaneria e portit të Barit nuk ka lejuar lundrimin e “AF Michela” (në foto) të “Adria Ferries” dhe “Bari” të “Wavelord Navigation Co Ltd”, të cilët duhet të niseshin mesnatën e 30 nëntor-1 dhjetorit 2013. Ndërkohë Dyrrah”-u konsultoi faqen ueb të APD sha, ku bëhej e ditur se të dy tragetet do të vonohen (shih faksimilen e raportit ditor të trageteve 1 dhjetor 2013, kolona e fundit). Po ashtu “Dyrrah”- u ka mësuar nëpërmjet sistemit automatik të identifikimit AIS se trageti “AF Michela”, rreth orës 13 e 55 ndodhej në udhëtim drejt Durrësit në koordinatat 41.19 / 17.1785.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/