Durrës, 5 mars 2014– Dy vajza të reja nga Durrësi, kanë pirë në rrethana ende të paqarta një sasi të konsiderueshme medikamentesh, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Nga burime policore të policisë së qytetit bregdetar mësohet se mëngjesin e së mërkurës, ka mbërritur në spitalin rajonal të Durrësit një 19 vjeçare, e cila rezultonte e intoksikuar nga një sasi medikamentesh që kishte pirë. Vajza e re është nisur nga mjekët e Durrësit drejt spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Të njëjtat burime saktësojnë se ajo është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë po në spitalin “Nënë Tereza”, mbrëmjen e së martës ka mbërritur një 17 vjeçare nga rrethi i Durrësit, e cila ishte helmuar për shkak të pirjes së ilaçeve që përdorte babai i saj, i prekur nga sëmundja e epilepsisë. Pas trajtimit mjekësor vajza e re është jashtë rrezikut për jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





