Durrës,6 shtator 2013- Dërgohen në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit dy persona pasi jane asfiksuar  teksa hapnin një pus në banesën e tyre.Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen Nr.15, në zonën e Kënetës, në Durrës. Sipas mjekëve dy personat e mbërritur në spital janë në gjendje të rëndë shëndetësore, njëri ndodhet aktualisht në reanimacion kurse tjetri po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

SI NDODHI

Paraditen e sotme Festim Tola, i cili kishte ardhur nga emigracioni për ndërtimin e banesës së tij po hapte një pus të thellë për të tharë garazhin e banesës nga ujërat që buronin brenda tij. Bashkë me të punonte edhe kunati i tij Klodian Xega, i cili mbeti gjithashtu i asfiksuar.Një  fqinj i tyre, Ramiz Miha ka tentuar t'u vinte në ndihmë, por  dhe ai është asfiksuar.Më pas kanë ndërhyrë fqinjët e tjerë të cilët kanë bërë të mundur transportimin e Tolës dhe Xegës. Gjendja shëndetësore e Mihës u përmirësua mënjëherë sapo doli nga pusi, ndërkohë që në gjëndje më të rëndë është Festim Tola.

DESHMIA

“Pasi dëgjova duke bërtitur njerëzit shkova ti shpëtoja dhe u futa në pus. I gjeta të dy me kokë në ujë. U ngrita kokën dhe ata ishin pa ndjenja. Edhe unë humba ndjenja dhe erdhën të tjertët që më ndihmuan”- thotë Ramiz Miha.Sipas mjekëve dy personat e mbërritur në spital janë në gjendje shëndetësore të rëndë, ndërsa njëri prej tyre ndodhet në reanimacion. Asfiksimi i tyre ka ndodhur pas çlirimit të gazrave në pus.Të asfiksuarit nuk kanë pasur asnjë mjet mbrojtës gjatë punës së tyre.

/shqiptarja.com/