· Ministrat Saimir Tahiri dhe Shkëlqim Cani, në fundjavë, në pikën e kontrollit të kalimit kufitar, në zyrën e verifikimit të dokumenteve të udhëtarëve, në pikat e kontrollit të automjeteve të mëdha dhe të vogla
DURRËS, 18 maj 2014 – Dy ministrat, Saimir Tahiri dhe Shkëlqim Cani, për fundjavë në terminalin e trageteve, jo për të udhëtuar, por për t’u njohur nga afër me punën e uniformave blu të kufirit dhe doganës në prag të stinës turistike, duke “ndihmuar” kështu dhe kolegen e tyre të dikasterit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantinë Gjermeni.
Të dielën, më 18 maj 2014 ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe ministri i Financave Shkëlqim Cani kanë hyrë në pikën e kontrollit të kalimit kufitar në terminalin e trageteve, në zyrën e verifikimit të dokumenteve të udhëtarëve, në pikat e kontrollit të automjeteve të mëdha dhe të vogla.
Dy krerët e dikastereve të rëndësishme u njohën me punën e policisë së kufirit dhe emigracionit, bashkëpunimin e tyre me doganën, të gjitha këto në prag të nisjes së stinës turistike dhe rritjes së fluksit të emigrantëve.
Ata vunë theksin në zbatimin e procedurave standarde dhe shmangien e vonesave të udhëtarëve.
Inspektimi rutinë, tha z. Tahiri, vjen në prag të sezonit turistik dhe ka për qëllim angazhimin dhe ofrimin e standardeve të procedurave të shpejta e të sigurta.
Ministri i Brendshëm tha se kufijtë duhet të jenë të hapur për çdo kënd, por nga ana tjetër duhet të ofrohen standarde të sigurta për sa i përket forcimit të kontrollit në luftën kundër kriminalitetit.
Ministri i Financave e vuri theksin në kontrollet që duhet të kryhen ndaj udhëtarëve dhe mallrave.
Z. Cani falënderoi Ministrinë e Brendshme për mbështetjen që ka dhënë në luftën kundër veprimtarive të paligjshme siç është dhe kapja e 47 tonë cigareve kontrabandë një ditë më parë.
Foto: Mirësjellje e Mark Brungës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





