· Fundjava në qytetin bregdetar, homazhe në kujtim të kolonelit nga Vendet e Ulëta që dha jetën për shqiptarët
DURRËS, 14 qershor 2014 – “Tulipanë” vijnë në Durrës, kështu përkon një ngjarje futbolli botërore me 100-vjetorin e rënies në krye të detyrës së komandantit të mbrojtjes së Durrësit, kolonelit holandez Lodewijk Thomson (1869-1914), i cili do të përkujtohet të dielën më 15 qershor 2014 në një ceremoni, para bustit në lulishten te Tora Veneciane.
Veprimtaria organizohet dhe me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve Holandë-Shqipëri.
Në protokoll është parashikuar të bëjnë homazhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës SHT Martin De la Beij, kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako, prefekti i Durrësit z. Rolant Xhelilaj, kryetari i Këshillit të Qarkut z. Alfred Mullaraj, shoqata Miqtë e Thomsonit dhe të tjerë përfaqësues të pushtetit qendror dhe vendor.
Sipas zyrës së shtypit të ambasadës holandeze në Tiranë, me kërkesë të komunitetit ndërkombëtar, Mbretëresha Wilhelmina e Holandës caktoi, përmes një dekreti të 24 shkurtit 1914, pesëmbëdhjetë oficerë të cilët do të shërbenin për Xhandarmërinë Shqiptare, duke u dhënë kështu një rang të lartë ushtarak.
Kjo trupë do të përbënte Misionin Ushtarak Holandez si një Mision Paqeruajtës në Shqipëri dhe i pari i këtij lloji në Evropë.
Pikërisht 100 vjet më parë, në betejën e 15 qershorit 1914, Kolonel Thomsoni mbeti i vrarë së bashku me 40 kapitenë dhe ushtarë shqiptarë.
Info / Kështu luftoi për Durrësin “tulipani”
Fuqitë e Mëdha, pas propozimit të të dy shteteve më të interesuara për Shqipërinë, Austro-Hungaria dhe Italia, zgjodhën princin gjerman, Vilhelm cu Vid (Wilhelm zu Wied, 1876-1945), i cili pranoi fronin shqiptar dhe arriti në Durrës më 7 mars 1914 me anijen ushtarake austro-hungareze Taurus.
JA PSE VENDET E ULËTA
Në korrik të vitit 1913, mbretëria e re shqiptare kishte nevojë jo vetëm për një mbret, por edhe për kufij të njohur, një qeveri dhe – gjë me një rëndësi të dukshme – një forcë policore për të garantuar qeverisjen e mbretit dhe për të siguruar rendin publik. Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte vendosur që rendi publik të sigurohej prej një xhandarmërie të udhëhequr nga oficerët e huaj të cilët do të kishin komandë dhe kontroll efektiv. Fillimisht u vendos që oficerët të vinin nga ushtria suedeze, mirëpo Mbretëria e Suedisë ishte e angazhuar me një mision të ngjashëm në Persi, kështu që u zgjodh Holanda, duke qenë shtet politikisht asnjanës, pa interesa të caktuara në Shqipëri dhe, pa dyshim, sepse, me kolonitë e saj në Inditë Lindore Holandeze (tani Indonezi), ajo kishte mjaft përvojë me një popullsi me shumicë myslimane. Kështu, më 1 gusht 1913, Qeveria Holandeze mori kërkesën zyrtare nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit për të ofruar oficerë për rivendosjen e rendit publik në Shqipëri.
PROPOZIMI I MINISTRIT TË LUFTËS
Më 19 shtator të atij viti, pas diskutimeve të brendshme, Holanda e njoftoi Komisionin se, në plotësimin e kërkesës, ajo do të vinte në dispozicion oficerë holandezë për misionin shqiptar. Ministri i Luftës, Hendrikus Colijn, kontaktoi mikun e tij, majorin Lodewijk Thomson (1869-1914), një figurë politike dhe ushtarake e njohur dhe e pyeti nëse kishte interes. Thomson-i, i lindur në Voorschoten afër Hagës më 11 qershor 1869, kishte qenë deputet i Bashkimit Liberal për Leeuwarden-in midis viteve 1905 dhe 1912. Përvojën ushtarake e kishte nga Inditë Lindore Holandeze (veçanërisht në veri të ishullit Sumatra), si vëzhgues në Luftën e Afrikës së Jugut dhe gjatë rrethimit të Janinës dhe në Shkodër gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Mirëpo, para se të zyrtarizohej emërimi i tij si shefi i misionit, kabineti holandez dha dorëheqjen, dhe Ministri i ri i Luftës, Bosboom, vendosi që duheshin marrë në konsideratë edhe kandidatë të tjerë. Për këtë arsye, u vonua emërimi i shefit të misionit megjithëse ishte miratuar zyrtarisht caktimi paraprak. Me dekretin mbretëror të 20 tetorit 1913, përfundimisht u zgjodh koloneli Willem De Veer, komandanti i regjimentit të tretë të artilerisë fushore, kurse Thomson-i, i regjimentit të dymbëdhjetë të këmbësorisë, u caktua zëvendësi i tij. Që prej fillimit, bashkëpunimi midis të dyve rezultoi i vështirë sepse De Veer-it i mungonte aftësia organizuese dhe përvoja e Thomson-it.
MBËRRITJA
Misioni paraprak i të dy oficerëve holandezë dhe ndihmësve të tyre, rreshterët Van Reijen dhe Stok, arriti në Vlorë më 10 nëntor 1913, ku ndodheshin selia e qeverisë së përkohshme si dhe selia e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Ishte humbur shumë kohë dhe oficerët donin të udhëtonin në vend për të kuptuar më mirë problemet me të cilat do të ballafaqoheshin. Trupat turke, serbe dhe malazeze ishin larguar nga Shqipëria, por vendi nuk ishte i bashkuar. Pjesa më e madhe e Shqipërisë së Mesme në veri të Vlorës ishte nën pushtetin e Esad pashë Toptanit (1864-1920), i cili në historiografinë shqiptare njihet si një ndër personazhet më dredharakë, të shitur dhe egoist. Më 16 tetor 1913, Esad pasha kishte formuar qeverinë e vetë në Durrës, për rajonin midis Matit dhe Shkumbinit.
Oficerët holandezë u nisën më 20 nëntor 1913 të shoqëruar nga Melek bej Frashëri, i cili më vonë u bë ndihmësi i Thomson-it, dhe nga Et’hem bej Vlora, biri i Ismail Qemalit. Ata udhëtuan për në Fier, Berat, Elbasan dhe në Tiranë ku e takuan Esadin më 25 nëntor. Esadi i mirëpriti me respekt megjithëse tregoi haptas pakënaqësinë e tij ndaj pranisë së Et’hem beut, djalit të rivalit të tij. Prej Durrësit, De Veer-i dhe Thomson-i vazhduan rrugën për në Shkodër ku arritën më 29 nëntor për të inspektuar trupat ndërkombëtare aty. Në Ndërfushas, takuan Prenk Bibë Dodën (1858-1920), prijësin e njohur të Mirditës katolike. Më 9 dhjetor pas tri javëve udhëtimi dhe të takimeve me udhëheqësit vendas të Shqipërisë së veriut dhe të mesme, De Veer-i dhe Thomson-i u kthyen në Vlorë.
XHANDARMËRIA SHQIPTARE
Kufiri jugor i Shqipërisë nuk ishte përcaktuar përfundimisht dhe trupat greke kishin marrë shumë pjesë të vendit, duke mos pranuar të largoheshin derisa Shqipëria të mos mund të garantonte rend. Në këtë situatë, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit kërkoi që te dy oficerë holandezë të krijonin një trupë ushtarake për të vendosur rend në jug. Qeverisë holandeze iu transmetua kërkesa për më shumë oficerë. Ndërkaq, De Veer-i dhe Thomson-i mobilizuan 1,000 ushtarë në Shqipëri, kryesisht refugjatë në Vlorë, dhe luftëtarë nga Kosova dhe Shkodra. Në formën përfundimtare, xhandarmëria shqiptare do të kishte 5000 trupa në dispozicion, prej të cilëve rreth 800 ishin stërvitur në mënyrë të duhur. Më 24 dhjetor 1913, Mbretëresha Vilhelmina e Holandës emëroi De Veer-in shef të xhandarmërisë së re shqiptare.
Më 23 shkurt 1914, pjesa tjetër e oficerëve holandezë mbërriti në Vlorë, dy javë para arritjes së princit. Para fillimit të misionit në Shqipëri, të gjithë fituan një gradë më të lartë. Oficerët holandezë u shpërndanë shpejt anembanë vendit.
DORËZIMI I ESAD PASHËS
Në fillim të majit 1914, Esad pasha u kthye fshehurazi në çifligun e tij në Rreth, afër Pazar Shijakut. Pas pak kohe aty u përhapën fjalë për një kryengritje të armatosur, në Shijak dhe në Krujë. Për Vidin dhe për oficerët holandezë ishte e qartë se prapa kryengritësve ishte Esad pasha.
Nga Austria erdhën topa dhe mitralozë për të mbrojtur Durrësin, dhe Esadi, i cili u kthye më 18 maj, donte t’i shtinte në dorë për t’ua dorëzuar atasheve ushtarakë italianë, Muricchio dhe Moltedo. Në atë kohë, qarkullonin fjalë që Esad pasha strehonte 200 burra dhe municion në shtëpinë e tij në Durrës për përgatitjen e një grushti të shtetit. Në mëngjesin e datës 19 maj 1914, Sluys-i e rrethoi shtëpinë e Esadit dhe u përpoq të çarmatoste rojat. Kur Klingspor-i qëlloi me top, duke dëmtuar çatinë dhe pastaj edhe dhomën e fjetjes të Esadit, ministri i pacipë i i luftës u dorëzua dhe u internua në anijen austrohungareze Szigetvar e cila qëndronte në Gjirin e Durrësit.
Esad pasha nuk ishte i pranishëm më, por kryengritja në Shqipërinë e Mesme vazhdoi. Çfarëdo që të ishin shkaqet e lëvizjes kryengritëse në Pazar Shijak dhe Kavajë, e cila filloi më 17 maj 1914 (dhe natyrisht nuk përjashtohet ndërhyrja e Esad pashës në mërgim), ajo u bë një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pushtetit të Vidit në Durrës.
NË RRASHBULL
Më 22 maj 1914, vullnetarët e veriut nuk pranuan të sulmonin kryengritësit për shkak të një bese të lidhur me ardhjen e mbretit Vid. Ata braktisën komandantin e tyre dhe u larguan. Sar-i dhe dyzet njerëz të tij u rrethuan dhe u zunë rob. Kur lajmet erdhën në Durrës për kapjen e Sar-it, forcat holandeze përgatitën një ekspeditë për ta liruar, por ndërkohë rebelët kishin pushtuar Rrashbullin dhe po qëllonin Durrësin me armë të lehta. Roelfsema doli me njësinë e tij, po u rrethua dhe u zu rob gjithashtu. Në Durrës kishte panik dhe familja mbretërore kërkoi strehim në një anije italiane në gji. Ambasadori Aliotti e kishte bindur Vidin që të dërgonte familjen e tij në anije, por kur hipën në anije, Aliotti i dha urdhër kapitenit që të largohej nga bregdeti, duke penguar kështu kthimin e menjëhershëm e Vidit në tokë. Kjo “arrati” nga ana e Vidit dëmtoi rëndë imazhin e mbretit ndër shqiptarët.
KOMANDANT I DURRËSIT
Rebelët e liruan Jan Sar-in atë mbrëmje dhe e çuan në Durrës për të paraqitur kërkesat e tyre, ndër të cilat ishin një amnisti e përgjithshme dhe kthimi i sulltanit. Vidi emëroi kolonelin Thomson si komandant të Durrësit dhe – në mungesë të ministrit të luftës – si “directeur de la force armée” (drejtor të forcave të armatosura). Kështu Thomson-i u bë këshilltari më i ngushtë ushtarak i mbretit. De Veer-i, dashur pa dashur, pranoi dhe u tërhoq në Vlorë më 4 qershor, prej ku u kthye në Holandë.
Mbretëria e sapokrijuar shqiptare ishte zvogëluar mjaft. Tani përfshinte vetëm Durrësin dhe disa kilometra përreth. Thomson-i filloi të ndërtonte fortifikime për të mbrojtur qytetin dhe mblodhi nën kontrollin e tij të rreptë tërë luftëtarë shqiptarë dhe të huaj. U krijua një njësi artilerie nën komandën e Kapitenit Fabius, i cili u kthye nga Shkodra e pushtuar nga trupat ndërkombëtare.
VRASJA
Atë ditë, rebelët e sulmuan dhe morën Rrashbullin dhe dy ditë më vonë po bëheshin gati për të sulmuar Durrësin. Herët në mëngjesin e datës 17 qershor, Jan Fabius, të cilin sekretari personal i Mbretit, Duncan Heaton-Armstrong (1886-1969) e quante oficerin holandez më të guximshëm dhe kokëkrisur, ishte me shërbim si roje dhe, kur mori vesh për sulmin, zgjoi mbrojtësit e qytetit me një të shtënë topi. Sar-i u dërgua për të mbajtur kodrat në veri të qytetit, kurse Roelfsema komandoi istikamet në pjesën perëndimore ku parashikohej sulmi kryesor. Thomson-i inspektoi artilerinë dhe shkoi te Roelfsema i cili ndodhej pranë depos së naftës, më pak se treqind metra nga vija e armikut. Aty u vra. Më vonë qarkulluan fjalë se e kishte goditur një snajper italian. Nuk dihet me siguri. Sido që të jetë, Mbreti Vid kishte humbur përkrahësin e tij më të zellshëm. Për çudi, vijat mbrojtëse të qytetit qëndruan.
Të nesërmen, më 16 qershor 1914, Thomson-i u varros në një ceremoni mortore të madhe. Madje edhe disa kryengritës, sipas traditës shqiptare, hynë në qytet për të përcjell trupin e pajetë të kundërshtarit të tyre holandez. Në fillim të korrikut, kufoma e Thomson-it u kthye në Amsterdam me anijen ushtarake Noord-Brabant dhe, pas një ceremonie madhështore më 18 korrik 1914, heroi i njohur u varros përfundimisht në Groningen.
Shënim: Teksti i marrë me shkurtime të konsiderueshme dhe fotot janë të albanologut të shquar Robert Elsie, titulli dhe mestitujt janë të “Dyrrah”-ut.
Poezia "Thomsoni dhe Kuçedra".
Nga Fan S. Noli
Vraponi, o burra,
Me armë, me topa, me kordh' e me shpata,
Se dolli kuçedra e errët nga nata,
Se ngriti bajrakun e lyer me gjak
Dhe sulet prej Shjakut në Durrës me-vrap.
Kuçedr'e Turqisë,
Hyen'e urisë,
E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari
Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,
Si gjarpër zvarniset, i sillet përqark,
Me dinin në gojë, me helmin në bark.
Kuçedrën e vrarë
E hasi më parë
Thomsoni në Vlorë, kur vinte prej detit
Me katërqint krahë, lubi' e Dovletit;
E zuri për gryke, e shtriu përdhe
Nga thonjt' i rrëmbeu të mjerin Atdhe.
Pastaj për së dyti
Në Durrës e mbyti
Dhe kokën ia shtypi me top nga Kalaja,
Kur hodhi Esadin nga Froni, nga maja,
Nga forca në pluhër, nga bregu në det,
Me grusht prej rrufeje, që ngrin e që tret.
Kuçedra e thyer,
Në turp e përlyer
Përmblidhet e kthehet nga toka në Durrës
Dhe ngrihet m'e fortë, në Gjol, afër Urës.
Shqiptar'i verbuar vërsulet në det,
Shkel Flamur dhe Nënë dhe vllezër po vret.
"Dy herë të theva,
Të shtriva, të ndeva,
Po prapë u-ngjalle dhe prapë u-ngrite,
Prit-më, the, prit-më!" Dhe prap' iu-vërvite,
Dhe hovin kuçedrës ia preve, po re,
Kalorës i huaj, që vdiqe për ne!
Nga Ura, nga Ura
Po ikni, o burra?
Ju ikni, po hij' e Kalorësit s'ikën!
Kuçedrës tërbuar ajo i fut frikën,
Se urën e ruan, se Ur'n e mpron
Stihia – Shqiponjë, me qip e me thonj.
Te ura, te Ura,
Vajtoni, o burra,
Thomsonin e ngratë që ju vet' e vratë,
Që pas nuk i ratë, po vetëm e latë,
Kur shkonte kaluar të vdesë për ne,
Për ju, të mallkuar, që s'doni Atdhe.
Korrik, 1914
/Përgatiti th. m. / agjencia e lajmeve “Dyrrah”/














