DURRËS, 11 janar 2015 –  Nga 7 anije në akuatoriumin dhe radën e portit të Durrësit, 4 janë sjellë për llogari të kompanisë turke “Kurum”, kështu ka rezultuar e diela, 11 janar 2015.

Sipas hartave detare, por edhe të dhënave të dispeçerisë së Autoritetit Portual Durrës, në kalatën nr. 5, Terminali Perëndimor, është bregëzuar, qysh më 30 dhjetor 2014, anija “Hassan D” me flamur Moldova, që shkarkon 5 350 tonë mbetje metalurgjie për llogari të “Kurum”-it në Elbasan (transportuesi është ndërtuar në vitin 1977, pra me moshë 38 vjeç, me pronare dhe menaxhuese kompaninë libaneze të Bejrutit “Barhoum Maritime”). 

Ndërkaq “Kurum”-i po realizon dërgesën e parë për eksport, duke ngarkuar 9 100 tonë prokat në anijen “Topkapi” në kalatën nr. 10 të Terminalit Lindor. Anija ka mbërritur të shtunën, më 10 janar 2015 (është ndërtuar në vitin 1997, pra me moshë 18 vjeç, mban flamur panamez, me pronare dhe menaxhuese kompaninë turke të Stambollit “Statu Chartering & Shipping”).

Ndërkaq në radë presin për përpunim në Terminalin e Kontejnerëve, koncesioni i  “Kurum”-it, dy anije. “Aysegul AK” (flamur Vanuatu, por në pronësi dhe brokerim të kompanisë turke të Stambollit “Galaxy Maritime”, ndërtim i vitit 1980) do të ngarkojë 22 copë kontejnerë. “Erkan K” (flamur i Ishujve Marshall, por në pronësi dhe brokerim të kompanisë gjermane të Hamburgut “Kalkavan Shipmanagement”, ndërtim i vitit 2007), do të shkarkojë 190 copë kontejnerë (në foto).

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/