DURRËS, 28 shtator 2014 –  Qyteti bregdetar 3-mijëvjeçar do të shpalosë në fillimin e javës veprimtari, që dëshmojë se brezi i ri di të vlerësojë trashëgiminë që ende mbijeton.

Në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”, më 29 shtator 2014,

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, në bashkëpunim me bashkinë Durrës dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale, si dhe me faktorë të tjerë lokalë të trashëgimisë kulturore organizon një aktivitet në qendrën historike.

Në këtë aktivitet do të marrë pjesë kryebashkiaku i Durrësit z. Vangjush Dako si dhe zyrtarë të lartë të ministrisë së kulturës.

Shkollat që kanë birësuar monumentet do të vendosen pranë tyre duke performuar dhe krijuar atmosferën që të rikujton historinë e monumentit.

Qytetarët mund të bëjnë një rrugëtim të shkurtër në qendrën historike të qytetit, ku do të gjejnë atmosferë festive e do të përfshihen në aktivitetin e nxënësve. Rrugëtimi zyrtar fillon në orën 16.00-16.15 në Amfiteatrin me një performancë të shkollës 9-vjeçare “Vinçenc Prendushi”, një sfilatë me veshje antike, të krijuara me materiale të ricikluara.

Në muret e kalasë, në pjesën e brendshme, do të jetë shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti” (ora 16.20-16.35), me një shfaqje me këngë të vjetra shqiptare, ku të rinjtë do të jenë me kostume të epokës; do të ketë ekspozitë, teatër dhe nxënësit-gazetarë do të intervistojnë kalimtarët.

16.35. -Rrugëtimi vazhdon në rrugicat e brendshme, ku piktorë nga vende të ndryshme kanë krijuar afreske në mure.

Në orën 16.45-17.00 në muzeun “Aleksandër Moisiu” do të jetë shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” me një panair sendesh të vjetra, të mbledhura nga nxënësit.

Qendra Kombëtare e Fëmijëve do të luajë valle popullore të Shqipërisë së Mesme te hamami.

Bulevardi do të jetë i mbushur me nxënës të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli"”, me këngëtarë, performues, art vizual, instrumentistë, etj.

Në orën 17.30 vizita përqendrohet te rotonda, ku do të simulohet tregu i vjetër bizantin, si dhe në një panair, do të promovohet trashëgimia jonë jomateriale, artizanati, kulinaria e zonës, etj.

Po këtu do të zhvillohet një ceremoni me përshëndetjet e rastit të zyrtarëve pjesëmarrës.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/