• Kësmet, “thatësira” me transportues detarë mund të vazhdojë deri të enjten, më 12 mars 2015

DURRËS, 9 mars 2014 –  Rekord historik në portin e Durrësit: që nga e shtuna (7 mars 2015) deri të hënën (9 mars 2015, shih faksimilen e raportit ditor) nuk është përpunuar asnjë anije mallrash.

Dispeçeri i drejtorisë së përgjithshme ekzekutive së Autoritetit Portual Durrës ka shënuar një anije në pritje për të martën, 10 mars 2015. Me sa duket, edhe “Erkan K”-ja (shih foton e Edi Gjatës gjatë manovrimit në portin e Durrësit më 15 dhjetor 2014) me 199 kontejnerë për Durrësin, vështirë se arrin më këtë datë. Mundet që edhe e marta “terse”, ndoshta edhe e mërkura, e enjtja, të jenë pa asnjë anije, pasi “Erkan K”-ja e nisur nga Venecia për në Ravena për të mbërritur më 8 mars 2015, nuk njoftohet nga AIS-i (sistemi i identifikimit automatik) se ka destinacion Durrësin.

Kurse një portal, që nuk parashikon asgjë për “Erkan K”-në, thotë se më 12 mars 2015 pritet të mbërrijë nga porti italian i Gjenovës në Durrës anija e kontejnerëve “Medazov Rosa”. Po ashtu më 15 mars 2015 mund të mbërrijë anija “Volga 4007”, që është nisur nga porti rus i Taganrog-ut më 3 mars 2015 dhe në mëngjesin e 9 marsit 2015 ndodhej në lundrim në jug të gadishullit të Krimesë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/