·        Dy të punësuarit në Inspektoratin rajonal të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave u kapën “me presh në dorë”, më 29 shtator 2014, me njëmijë dollarë që i morën pas shantazhit firmës së huaj në Rrashbull

DURRËS, 16 nëntor 2014 – Një muaj e gjysmë vënies së hekurave, akuza bregdetare ka “kopsitur” dosjen e dy të punësuarve nga LSI-ja në Inspektoratin rajonal të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të Durrësit; dërgohen kështu për para togave të zeza kryeinspektori Genc Balla dhe inspektori Eduart Bejko, të akuzuar për korrupsioni aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

“Dyrrah”-u mësoi se prokuroria e rrethit gjyqësor të Durrësit ka përfunduar hetimin e plotë për dy shantazhistë, që dyshohen se kërcënonin me gjoba një firmë kineze në Rrashbull në këmbim të “rrogave” mujore prej 100 mijë lekë (rreth njëmijë dollarë).

Sikurse është bërë e ditur, më 1 tetor 2014 gjykata dha masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Genc Ballës, 38 vjeç, banues në Durrës, kreu rajonal i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Durrës; Eduart Bejkos, 45 vjeç, banues në Sukth Durrës, inspektor.

Të dy janë arrestuar në flagrancë më 29 shtator 2014 nga blutë për veprat penale edhe të korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike edhe të korrupsionit pasiv personave që ushtrojnë funksione publike.

SFONDI

Përfaqësuesi ligjor i kompanisë kineze-shqiptare “Dawa International Trade” shpk z. Xi Wang i është drejtuar prokurorisë në korrik 2014, ku ka kallëzuar trysnitë e inspektorit të mjedisit dhe shefit të tij, të cilët i kërkonin 100 deri në 200 mijë lekë në muaj në këmbim të lejimit të ushtrimit të aktivitetit.

Prokuroria thotë se nga hetimi ka rezultuar se zyrtarët e Inspektoratit të Mjedisit kërkonin dhe kanë marrë në mënyrë korruptuese prej këtij subjekti 100 000 lekë në muaj, për disa muaj rresht. Hetimi është regjistruar në bazë të kallëzimit të administratorit të kompanisë private në korrik 2014.

Shtetasi kinez ka kallëzuar para organit të akuzës shtetërore shqiptare:

“Dawa International Trade” e ushtron aktivitetin që prej dy vjetësh, por në datën 30 maj 2014, në mjediset e kompanisë është paraqitur një shtetas që më vonë është prezantuar si shefi i Inspektoratit të Mjedisit të Rrethit Durrës, i quajtur Eduart Bejko.

Pas debateve është prezantuar për pozicionin e punës që ka dhe më pas ka dërguar disa inspektorë të tjerë për të ushtruar kontroll, të cilët kanë kërkuar lejen për ushtrimin e aktivitetit. Duke pretenduar se kishte shkelje, ata kanë filluar që të shkruajnë diçka që kishte bënte me një gjobë që, sipas tyre ishte në vlerën 5 milionë deri në 10 milionë lekë.

Pas ndërhyrjes së shtetases me emrin Dorianë Nikolla, e cila kryen dhe detyrën e ekonomistes, me qëllim që të mos vihej gjobë, është kërkuar dhe dhënë si përfitim i paligjshëm një shumë prej 200 mijë lekësh”, thotë organi i akuzës.

Pas marrjes së kallëzimit, prokuroria ka urdhëruar përgjimin e bisedave telefonike të numrave të telefonit dhe vëzhgimin në ambientet publike.

Më datë 25 korrik 2014, rreth orës 19:25, administratori i kompanisë private, pasi ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dytë një shumë prej 100 mijë lekësh, është nisur në drejtim të zyrës së kontabilitetit në posedim të shtetases Dorianë Nikolla, ku në prani të saj i janë dorëzuar shtetasit Eduart Bejko.

Pasi ka marrë shumën, ai është takuar me kryeinspektorin, Genc Balla, në një lokal.

E njëjta skemë u përdor edhe mbrëmjen e së hënës, 29 shtator 2014, kur ishte caktuar të paguhej një shumë prej 200 mijë lekësh ndaj shtetasit Eduart Bejko, i cili, sipas prokurorisë, këto para i kishte kërkuar si përfitim të paligjshëm për drejtorin.

Gjithashtu, së bashku me dy drejtuesit e Inspektoratit të Mjedisit Durrës, Prokuroria ka dërguar për gjykim Dorianë Nikollën, punonjëse në firmën kineze, e cila paditet për ushtrim ndikimi të paligjshëm.

Nikolla dyshohet se ishte personi që kryente ndërmjetësinë mes administratorit të kompanisë private dhe dy zyrtarëve publikë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/