Kryetar i ri i Alfred Mullaraj, fiton me 6 vota diferencë
Dy orë para mbledhjes, gjyqtarja e Administratives Mimoza Velçani nxjerr akt pezullimi, jo për objekte në shkatërrim, por për një vendim të këshillit komunal ta Maminasit
Dy këshilltarë të djathtë “dezertojnë” gjatë votimit të fshehtë
Ndërhyrje skandaloze të ish-Ministrit të Drejtësisë dhe deputetit Eduard Halimi, që ngatërronte sallën e këshillit me atë të Kuvendit.
DURRËS, 8 nëntor 2013 – Tani kryetar i Këshilit të Qarkut të Durrësit është Alfred Mullaraj i PS-së (në foton kryesore). Ai zëvendësoi Armand Telitin të PD-së, që ishte shkarkuar pas votimit të përfaqësuesve të Këshillit Bashkiak të Durrësit. Pas 5 orë debatesh, e majta arrin të neutralizojë barazimin 23 me 23 vota për kryetarin e ri të Këshillit të Qarkut të Durrësit dhe e çon rezultatin ne 26 me 20, me “dezertimin” e 2 këshilltarëve të djathtë
Dorëheqje?
Njoftimin për mbledhjen e këshillit të qarkut ditën e 8 nëntorit 2013 e kishte nënshkruar Aramand Teliti, që, sipas rendit të ditës, do të jepte dorëheqjen. Në të vërtet, pas rivotimit të përfaqësuesve të këshillit bashkiak të Durrësit në Qark, Teliti nuk ishte më anëtar dhe nuk kishte se çfarë dorëheqjeje të jepte, është i shkarkuar, tha qytetari nr. 1 i Durrësit, Vangjush Dako, i cili bëri spektakël me të djathtën. Mbledhjen e drejtoi nënkryetari i Këshillit të Qarkut Klodian Merlika i PD-së (në foto: në mes).
Vendimi për Maminasin
Gjithsesi situata ishte e nderë, sidomos pas dy vendimeve kundërthënëse të komisionit të verifikimit të mandateve, për mosnjohjen e mandatit për përfaqësuesin e komunës së Maminasit, që ishte zgjedhur nga e majta më 4 nëntor 2013, në vend të atij të djathtë. PD-ja kishte arritur të siguronte, dy orë para mbledhjes, pezullimin e vendimit të komunës së Maminasit nga gjyqtarja e Administratives Mimoza Velçani. Në fakt PD-ja kishte paraqitur dorazi një vërtetim vendimi nga kancelaria e gjykatës, ndërkohë që Velçani, e emëruar nga Presidenti Bujar Nishani i PD-së, nuk e kishte zbardhur dhe nuk ia kishte dërguar Prefektit që e kishte certifikuar rokadën në Maminas. Në një vendim të dytë komisioni i mandateve njihte nga Maminasi këshilltarin e djathtë (në foto). Kjo e çonte në barazim 23:23 numrin e votave, plus që PD-ja, nga ndonjë votim i fshehtë priste rrjedhje nga e majta.
Komisioni i numërimit: 5 të majtë 0 të djathtë
Por PS-ja kishte arritur të siguronte 24 vota për komisionin e votimit, duke zgjedhur 5 anëtarë të majtë dhe asnjë të djathtë. Grupit të PD-së iu dha e drejta e një vëzhguesi. PD-ja bëri një orë pushim dhe mbylli sallën e madhe të mbledhjeve. Por grupi i majtë u mblodh në sallën e vjetër të këshillit të qarkut, gjë që e vuri në alarm PD-në, e cila la restorantet dhe erdhi me vrap. U vendos të bëhej votim i fshehtë.
Kandidatët
Për kryetar të këshillit të qarkut PD-ja dha si kandidaturë emrin e Rezart Tushës, ish-drejtor i burgut të Rrogozhinës, të cilin më 10 tetor 2013, ministri i Drejtësisë Nasip Naço e kishte shkarkuar dhe çuar për ndjekje penale për një lejë të veçantë për një të dënuar, “një leje e paligjshme, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve”. Kurse PS-ja paraqiti kandidaturën e kryetarit të PS, Alfred Mullaraj.
Halimi: Ejani në Tiranë në demonstratë
Pas numërimit të votave para kamerave të medies, nga 24 me 22 për të majtën ose 23:23, sikurse mendohej, rezultati u thellua: 26 me 20. Pas votimit, në shkallët e ndërtesës së Këshillit të Qarkut, tre deputetë të PD-së, Eduard Halimi, Igli Cara dhe Gent Strazimiri, dolën me një deklaratë për mediet. Halimi denoncoi atë që e quajti blerje të votës nga PS-ja dhe u bëri thirrje banorëve të Durrësit dhe qarkut që të bashkoheshin të hënën në demonstratë në Tiranë.
Deputetët
Zgjedhja e kryetarit të ri të Këshillit të Qarkut kishte ngjallur interesimin e dy forcave politike. Lulëzim Basha kishte çuar deputetët Eduard Halimi, Igli Cara dhe Gent Strazimiri. Edi Rama kishte çuar deputetët Blend Klosi (i cili erdhi me vonesë, ishte indiferent dhe nuk hyri fare në sallë gjatë debateve), Gentian Bejko dhe Klodiana Spahiu. Ndërsa ligjvënësit “mavi” rrinin urtë, ata “blu” u bënë të bezdisshëm. Binte në sy ish-ministri i Drejtësisë dhe deputet i qarkut, Eduard Halimi me ndërhyrjet e vazhdueshme dhe debatet (në foto). Këtij të fundit disa herë iu tha se nuk ishte në parlament dhe nuk kishte të drejtë të fliste në mbledhje, por Halimi vazhdonte e dirigjonte në prani të medieve grupin e këshilltarëve të djathtë, sulmonte kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, replikonte me prefektin e qarkut Roland Xhelili.
“Vetëvrasje” e PD-së?
Një figurë me rëndësi në PD-në vendore i tha dy ditë më parë “Dyrrah”-ut se selia blu do të bënte vetëvrasje politike duke paraqitur kandidaturë të sajën. Thjesht, selia blu besonte, jashtë çdo realiteti, se do të fitonte me Tushën, ndërkohë që PS-ja kishte punuar për zëvendësimin e dy këshilltarëve të djathtë, në komunat Bubq dhe Maminas.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





