Durrës, 10 shtator 2014 – Një grua e moshuar u grabit afër stacionit të autobusit urban, në Currila, nga një person i paidentifikuar, që i shkuli nga qafa varësen e saj të floririt.

Denoncimi për këtë rast është bërë nga vetë 66-vjeçarja me inicialet L.G..

Burime zyrtare policore thanë se e dëmtuara nuk e ka njohur agresorin që ishte i pamaskuar, por i ka bërë atij përshkrimin fizik.

Pas sulmit, grabitësi është larguar me vrap së bashku me varësen. Policia po heton për të zbardhur identitetin e të riut hajdut.

Raste të tilla regjistrohen shpesh në qytetin bregdetar dhe sipas statistikave të policisë, kohët e fundit, shënjestër e grabitësve të varëseve janë kryesisht gratë e moshuara.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/