Intervistoi Shefqet Kërcelli
Origjina e Armela Muratit është nga Burreli, por ka lindur në Durrës në vitin 1996, pas transferimit të të atit, Ahmetit, ish-ushtarak, nga Burreli në qytetin bregdetar.
Arsimin fillor dhe 8-vjeçar e kreu me sukses në shkollën “Hajdar Dushi”, në vitin 2006.
Më pas përfundoi universitetin “Aleksandër Moisiu”, për gjuhë të huaj, Anglisht. Në vitin 2017, filloi Akademinë Ushtarake, një karriere e veçantë që e çoi ate deri këtu, si pilotja e parë shqiptare. Në një intervistë për “DurrësLajm”, ajo rrëfen çfarë e shtyu drejt këtij profesioni, që deri tani ishte zanat vetëm për burrat.
Kush ishte frymëzimi i Armelës për tu bërë oficere, për më tepër pilote?
Shtysa kryesore që unë të zgjedh këtë profesion, është babai im, Ahmeti, i cili shërbeu 25 vite në FA shqiptare dhe vitet e fundit ne Forcën Detare. Që e vogël më pëlqente uniforma e babit, korrektësia në familje dhe detyra, gradualisht mu krijua një dëshirë për ta veshur dhe unë atë uniformë. Kështu në vitin 2017, unë fillova shkollën ushtarake, të cilën e kreva me rezultate të shkëlqyera. Pas shkollës u caktova me punë në Forcat Ajrore, dhe këtu mbas një viti, fitova konkursin për t’u trajnuar si pilote. I vura vetes detyrë që ta përballoj këtë sfidë të vështirë. Sfidat janë sfida, si për meshkujt dhe për femrat. Kuptohet që në këtë përzgjedhje të vështirë, pata mbështetjen e plotë të familjes. Ata ishin një shtysë e madhe që unë ta përballoj këtë hap në jetën time, më kanë motivuar, mbështetur, inkurajuar.
A ka vështirësi që një femër të përballojë profesionin e pilotes?
Mendoj që në shoqërinë tonë femra është pak e nënvleresuar në lidhje me profesionet e vështira. Por rasti im dhe ai i mjaft femrave të tjera, dëshmon se femrat mund të bëjnë gjithçka, sado e vështirë të jetë detyra, profesioni, ashtu si dhe meshkujt.
Ky është një frymëzim dhe për shumë femra shqiptare të cilat duan të përvetësojnë profesione të vështira, por ngurojnë nga opinioni shoqëror. Kuptohet që të realizojmë synimet dhe objektivat tona, duhet patjetër një punë këmbëngulëse dhe realizim me përpikmëri të çdo detyre.
Përsa i përket vështirësisë, mund të them se, dashuria për profesionin, të bën që asnjë ditë mos të duket e vështirë. Pastaj theksoj se vështirësitë t’i lehtësojnë dhe ambienti mikpritës që më krijuan eprorët dhe kolegët në Forcat Ajrore Rinas. Kolektivi më krijoi këtë ambient bashkëpunues, shtytës për të ecur përpara. Ata më motivonin në çdo hap, nëpërmjet kurseve, trajnimeve, eksperiencës së tyre, që të mund t’ia dal e arrij të jem pilotja e parë femër.
Natyrisht në realizimin e këtij objektivi madhor për jetën time, duhet dhe pak idealizëm e patriotizëm. Për ne ushtarakët, “Nderi, detyra, Atdheu”, është e para.
Çfarë mund t’i thoni skeptikëve të këtyre profesioneve për femrat?
Në gjithë botën, femrat kanë treguar që dinë t’i bëjnë ballë çdo sfide. Jeta ka treguar se pas burrave në karrierë qëndron një femër, e cila i ka motivuar dhe orientuar për të arritur suksesin.
Besoj se nuk jam as e para dhe as e fundit që ka ndërmarrë hapa të tillë, për këtë profesion. Tashmë femrat po sfidojnë burrat dhe në hapësirat kozmike dhe jo më ato ajrore.
Angazhimi i Armelës në stërvitjen ushtarake “Defender -2021”
“Vajzat kanë treguar,” thotë Armela, “që dinë të jenë të barabarta me meshkujt në shumë profesione të tjera të jetës. Është një profesion që nuk ka të bëjë vajzë apo djalë, nëse do ta bësh, nëse ke vullnet dhe dëshirë do të arrish çdo gjë”.
Të konkurronte apo jo në një terren të dominuar historikisht nga meshkujt, ishte për të vetëm një hezitim i momentit. Por sot Armela 25-vjeçare, rreshtohet përkrah 11 djemve në kursin e pilotimit, duke zhdukur çdo pengesë gjinore.
Ndërkohë gjatë kësaj kohe, Armela është njohur dhe me eksperiencën e piloteve amerikane, gjatë stërvitjes “Defender -2021”.
Emocionet për arritjet e Armelës, nuk i fsheh as instruktori i saj, që e quan një moment historik, në 108 vitet e themelimit të Forcës Ajrore Shqiptare, teksa pohoi se:
“Mendoj se Armela deri tani i ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë pjesë e ekipit tonë fluturues. Në fluturimin e saj të parë e pyeta “Armela ke emocione?! Jo më tha! Ke të drejtë se i kam unë emocionet”.
Armela e di se bashkë me guximin për të sfiduar lartësinë, ka pranuar mbi vetë misionin për t’i shërbyet vendit në kohë të mirë e të vështirë. Një rrugëtim që thotë se, tashmë nuk mund të kthehet pas.
Tashmë ky profesion ka bërë krenar jo vetëm Armelën, por dhe prindërit e saj, në vecanti babën, Ahmetin. Ndërkohë, pjesë e kësaj familje me trung ushtarak, është dhe djali, Renald Murati, që vazhdon studimet në Akademinë ushtarake viti i 2-të, në Fakultetin e Shkencave, i cili mund të bëhët navigator.
Pra, familja Murati, banorë të Durrësit, tashmë është e kompletuar me tre ushtarakë.