Durrës, 26 mars 2014 – Një anëtare e komunitetit rom ka denoncuar në policinë e Durrësit personat, që sipas saj e kanë trafikuar në vendet e zonës Shengen me qëllim që të ushtronte profesionin më të vjetër në botë. E reja, identiteti i së cilës nuk bëhet publik, ka rrëfyer para forcave të rendit se së bashku me disa anëtarë të tjerë të komunitetit rom ka udhëtuar drejt Belgjikës, fundvitin e kaluar. Sipas saj, personat që e kanë shoqëruar e kanë përdorur për rreth një muaj (nëntor –dhjetor 2013) si prostitutë në qytetet belge.
Mos rënia dakord me ndarjen e fitimit apo të tjera probleme që mund të kenë lindur mes personave të përfshirë në këtë rrjet prostitucioni e kanë shtyrë vajzën e re të shkëputet nga tutorët e saj dhe të kthehet në Shqipëri. Kur ka mbërritur në vendin e saj, ajo i është drejtuar komisariatit të policisë Durrës për të bërë denoncimin për personat që e kanë shfrytëzuar atë me qëllim prostitucioni.
Pas dëshmisë së vajzës, efektivët e rendit kanë nisur punën për të bërë identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve që kanë konsumuar veprat penale “Trafikim i personave te rritur” dhe “Shfrytëzim prostuticioni”. Materialet mbi këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





