Një nënë e re është duke vuajtur përndjekjen që i bën ish-bashkëshorti. Rozela Kasa, 25 vjeçe, nënë e një djali të mitur 5 vjeç e gjysmë, denoncoi ish-bashkëshortin për dhunë psikologjike dhe përndjekje. Nënë e bir janë duke vuajtur pasojat e një divorci traumatologjik.
Sot nëna e re iu drejtua mediave për ndihmë pasi sipas saj, ish-bashkëshorti e përndjek, e kërcënon dhe tenton t’i marrë djalin të cilin ia dha gjykata me vendim.
Rozela tregon se ish-bashkëshorti pas divorcit 2 vjet më parë e kishte fituar të drejtën e fëmijës, por pas një viti po e njëjta gjykatë ia besoi kujdestarinë e fëmijës nënës. Që prej këtij momenti ish-bashkëshorti nuk e ka pranuar vendimin e gjykatës dhe tentoi të shtypë me makinë ish-vjehrrin e tij.
25-vjeçarja e cila ka disa urdhër mbrojtjeje të njëpasnjëshme, thotë se nuk ka gjetur asnjë ndihmë nga institucionet të cilat i kanë dhënë urdhër mbrojtjeje, por nuk është e sigurt për jetën e saj.
Me urdhër mbrojtjeje është edhe babai i saj si pasojë e dhunës nga ish-bashkëshorti i vajzës.
Ish-bashkëshorti nuk është pajtuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Durrës për dhënien e kujdestarisë së djalit nga nëna e tij dhe e ka apeluar vendimin.
Nëna e re thotë se për asnjë arsye në botë nuk do të lëshojë kujdestarinë e djalit të saj te bashkëshorti duke paralajmëruar vetëgjyqësi nëse ndodh një gjë e tillë.
*(Te videoja e mëposhtme, është intervista e Roselës dhënë për “DurrësLajm”, ndërsa gjatë 7 sekondave të fundit, janë pamje nga disa momente që vetë 25-vjeçarja ka filmuar teksa ish-bashkëshorti po i dhunontë babanë, në sy të fëmijës)
K.H.





