Një aksident me pasojë plagosjen e një vajze 25 vjeçe ka ndodhur mbrëmë në mesnatë në Durrës.

Bëhet fjalë për shtetasen S.Dervishi, banuese në Durrës, e cila pas aksidentit përfundoi në spital, por ndërkohë ndaj saj policia ka lëshuar urdhër arresti pasi rezultoi se ajo po ngiste makinën në gjendje të dehur.

Ajo ka qenë duke drejtuar automjetin tip “Benz” në autostradën Durrës – Tiranë kur rreth orës 23:40 ka humbur kontrollin e mjetit. Ajo përfundoi duke u futur brenda në karburant dhe më pas është përplasur me reklamat e tij.

Për pasojë ajo është dëmtuar, por raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal Durrës nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë testit të alkoolit reultoi se S.Dervishi ishte në gjendje të dehur. Ndaj saj tashmë rëndojnë dy akuza: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Arrestimi i saj vjen në një kohë kur policia e Durrësit ishte ngritur në një aksion të gjerë në terren për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale.