DURRËS, 27 janar 2015 – Si rrallëherë porti nuk ka asnjë anije në përpunim. Referuar raportit ditor të dispeçerit të Autoritetit Portual Durrës, në orën 15:52, të martën, më 27 janar në portin e Durrësit nuk ishte “këmbë” anije mallrash për shkarkim apo ngarkim si në kalata ashtu dhe në radë.
Nga ana tjetër, ndodheshin dy tragete 43-vjeçare “Rigel I” (kompania “Wavelord Navigation” Co Ltd) dhe “AF CLAUDIA PRIMA” (kompania “Adria Ferries”) të linjave me Italinë. Mjetet e vjetra kanë mbërritur nga porti i Barit para afatit, në ora 7:20 dhe 7:40.
Ndërkaq, në orën 16:51, në koordinatat 41.37695° / 19.41187°, përballë kodrave të Durrësit po lundronte drejt portit të karburanteve në Porto Romano tankeri për transport gazi të lëngshëm “Sigas Ingrid”, me flamur kinez dhe port regjistrimi Hong Kong. Anija me tonazh mbi 4 mijë tonë dhe e ndërtuar Japoni në vitin 2007 me pronar “Siva Ships International” në Singapor, ishte nisur më 23 janar 2015 nga Port Said i Egjiptit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





