ECO Parku i Durrësit kërkon dhe 22 milionë lekë të tjera për t’u kolauduar.

Agjensia Kombëtare Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve ka hapur ditën e sotme tenderin me vlerën limit 2,273,790 lekë të reja për “Kolaudim punimesh për objektin Mbyllja e venddepozitimit ekzistues”.

Kompanitë e interesuara kanë afat deri më 29 korrik për të dorëzuar ofertat.

Tenderi i shpallur sot nga AKUM e vonon edhe më shumë datën e dorëzimit të ECO Parkut dhe vënien e tij në funksion të qytetarëve të Durrësit.

Pas mbylljes së fushës së depozitimit të mbetjeve në Porto Romano, për shkak të emergjencës mjedisore, AKUM-i zhvilloi një tender në periudhën e karantinimit për shkak të pandemisë Covid-19 për nisjen e punimeve për ndërtimin e ECO Parkut.

Ndërtimi i ECO Park ka kushtuar rreth 1.6 miliardë lekë.

Pavarësisht se ky i fundit ka pasur deri më tani të paktën 3 afate të deklaruara për përfundimin e tij, akoma sot nuk është vënë në funksion.

Ishte fillimisht kryeministri Rama që deklaroi se ECO Parku do të ishte gati më 1 qershor 2021, ditën e festës së fëmijëve.

Më pas do të ishte kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, që gjatë një takimi me të rinjtë premtoi se ECO Park do të përfundonte në tetor 2021.

Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, Sako deklaroi një tjetër afat; se ECO Park do të ishte gati më 1 qershor 2022.

Por sot kur data shënon 19 korrik, Eco Park kërkon të tjera para shtesë, që të mund t’i dorëzohet bashkisë Durrës.

Mbyllja e venddepozitimit të mbetjeve në Porto Romano e ekspozoi Durrësin disa herë me radhë gjatë vitit 2020 dhe 2021 ndaj krizës mjedisore të krijuar për shkak se koncesionari i landfillit të Sharrës nuk pranonte depozitimin e mbeturinave pa lidhur fillimisht kontratë me bashkinë.

Pas situatës së përsëritur disa herë me radhë, ku plehrat e Durrësit qëndronin me ditë të tëra të patërhequra në kazanë, madje edhe në mesin e sezonit turistik, bashkia Durrës nënshkroi kontratën me koncesionarin, të cilit vit pas viti do t’i depozitojë një shumë të konsiderueshme nga buxheti lokal, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Efektet e marrëveshjes, qytetarëve durrsakë iu reflektuan direkt në vlerën e tarifës së pastrimit, e cila krahasuar me një vit më parë u dyfishua.

M.B.