· Çudirat e gjeopolitikës / Athina shton trupa në kufirin tokësor me Shqipërinë dhe merr pjesë në lojën detare në Durrës
· Edhe rusët interesohen për Plepat, Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Bisht Pallën
DURRËS, 8 qershor 2015 – Durrësi kthehet në një “qendër” ushtarake-detare rajonale, ku bie në sy një fakt disi “kundërthënës”. Ndonëse ministria greke e Mbrojtjes shton praninë ushtarake në kufirin tokësor me Shqipërinë pas polemikave për kufirin detar, Athina dërgon një katër raketor të klasit “La Combattante III” për t’u trajnuar me shqiptarët, kurse atasheu ushtarak në Tiranë vizitoi komandën e Plepave, Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe Bisht Pallën.
Qysh të dielën, më 7 qershor 2015, mbërritën në portin tregtar / civil të Durrësit anijet ushtarake, që marrin pjesë në stërvitjen rajonale “Adrion – Livex 2015”. Në kalatat 4 dhe 5 janë bregëzuar një grup anijesh ushtarake të vendeve të rajonit, të cilat do të marrin pjesë stërvitjen “Adrion-Livex 2015”. Nga burime të komandës së Forcave Detare në Plepa mësohet se në stërvitjen, që do të zgjasë 4 ditë (deri më 12 qershor 2015), marrin pjesë anije nga vendet e rajonit si Shqipëria, Italia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia. Gjatë këtyre ditëve janë programuar vizita të ushtarakëve të huaj në monumentet arkeologjike dhe qendrat historike të qytetit të Durrësit. Forcat e sigurisë civile të portit të Durrësit kanë marrë masa për sigurimin e zonës. Ndërkaq, në kalatat e tjera vazhdon nomalisht veprimtaria përpunuese për ngarkimin dhe shkarkimin e anijeve me mallra. Forcat Detare Malazeze marrin pjesë me fregatën e klasit “Kotor”, Flota Ushtarake Greke merr pjesë me një katër raketor të klasit “La Combattante III”, Forcat Detar kroate me katrin raketor RTOP-41 “Vukovar” të klasit “Helsinki”, Marina Ushtarake Italiane me anijen patrulluese “Libra” të klasit “Cassiopea”, Forca Detare shqiptare me anijet patrulluese “Lissus” dhe “Oriku”. (Është e pashpjegueshme pse Plepat, ndryshe nga herë të tjera, nuk do të japin njoftim për shtyp, ndërkohë që Mali i Zi ka dërguar gazetarë për këtë stërvitje ushtarake në një port civil shqiptar).
UAU! GREKËT DHE RUSËT
Ndërsa ministri grek njofton për prani të shtuar të trupave ushtarakë në kufi me Shqipërinë, pas replikave për kufirin detar midis Tiranës dhe Athinës, kjo e fundit, sikurse u tha më sipër, merr pjesë në stërvitjen e përbashkët rajonale në Durrës. Madje, ka dhe një fakt kureshtar, që e bën të ditur zyrtarisht komanda e Forcës Detare.
Më 28 maj 2015, komanda e Forcës Detare në Plepa të Durrësit u vizitua nga një ekip i atasheve ushtarakë të huaj të akredituar në Tiranë: Greqisë kolonel Sotiris Polyzos; Rusisë kolonel Vladislav Filippov; Italisë kolonel Emmanuele Aresu; Kroacisë kolonel Ivica Mateshiç; Britanisë së Madhe nënkolonel Richard Parry; Rumanisë nënkolonel Laurentiu Virgil Rusan; Kinës kolonel Luo Tiefeng, i SHBA, kapiten i Rangut II Ralph B. Shield, si dhe ndihmësatasheu ushtarak Turqisë, nënkolonel Raif Sarixha. Ekipi i atasheve vizitoi Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare dhe vendbazimin e Kepit të Palit.
Info 1 / Konferenca planëzuese
Më 29 janar 2015, në komandën e Forcës Detare në Plepa të Durrësit, u zhvillua konferenca e parë planëzuese e stërvitjes rajonale “Adrion – Livex – 2015”. Morën pjesë kuadro drejtues dhe organizues të kësaj stërvitjeje nga vendet pjesëmarrëse të iniciativës “Adrion”, konkretisht nga Shqipëria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Në konferencën e parë u prezantua dhe diskutua qëllimi, objektivat, pjesëmarrësit, mjetet, situatat detare, rajoni, formacioni i anijeve, radio-komunikimi, etj. E veçantë është që për herë të parë po bëhen përpjekje maksimale për të përmbushur Marrëveshjen e Standardizimit, që përcakton proceset, procedurat, terminologjinë dhe kushtet për unifikimin në kuadër të forcave të armatosura të përbashkëta ose procedurat teknike apo pajisjet midis vendeve anëtare të aleancës. Qëllimi është sigurimi i masave të njësuara operative dhe administrative procedurat dhe logjistikë të përbashkëta operacionale dhe administrative, bazës materiale-teknike, në mënyrë që forcat e armatosura të një vendi anëtar të mund të përdorin depot dhe mbështetjen e forcave të armatosura të një tjetri evend anëtar. Në ndihmë të këtij objektivi madhor është dhe qendra e simulimeve shqiptaro-amerikane në komandën e doktrinës dhe stërvitjes. Kështu specialistët e kësaj qendre u shpjeguan pjesëmarrësve radhën dhe modalitetet që përdorin sektorët përkatës në strukturat e NATO-s për këto lloj stërvitjesh
Info 2 / Stërvitja CAX 2015
Nga data 18 deri më 22 maj 2015, në mjediset e Qendrës së Simulimit të Forcave tw Armatosura Shqiptare u zhvillua stërvitja CAX 2015 (Computer Assisted Exercise), njoftoi komanda e Forcës Detare në Plepa. Në këtë stërvitje përfshihen disa vende të rajonit të cilat janë pjesë e iniciativës Adrion, si Shqipëria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Qëllimi i stërvitjes është rritja e bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve në fushën e sigurisë detare. Kjo stërvitje zhvillohet çdo vit dhe drejtohet me rotacion nga çdo vend pjesëmarrës. Për vitin 2015 është organizatore e këtij evenimenti Shqipëria dhe, për herë të parë stërvitja CAX-2015, u zhvillua në Shqipëri. Ky simulim konsiston në kuptimin e procedurave të përbashkëta dhe nxit mirëkuptimin e ndërsjellë midis vendeve pjesëmarrëse. Trajnon komandantët dhe stafin e tij në planëzim dhe zbatim të operacioneve detare, të sfidave në rajonet e ndryshme dhe përdorimin e procedurave standarde në operacione të ndryshme. Gjatë ditëve në vazhdim personeli pjesëmarrës zhvilloi operacione kërkim – shpëtimi (SAR), operacione zbulimi të objekteve të dyshuara në rajon, marrje në pyetje dhe raportim tek komandanti i operacionit në përputhje me procedurat e komunikimit dhe të bordimit, koordinimi i veprimeve det – ajër dhe mundësia e dhënies së ndihmës në rast emergjencash në det.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./