DURRËS, 19 nëntor 2013 – Edhe hajdut edhe shpërndarës droge. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 18 nëntor 2013 filloi procedimi penal në dy raste për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike. Në orën 23.30 u arrestua Bert P., 32 vjeç, banues në Durrës, sepse në orën 21.00, në lagjen nr. 9 të qytetit, në banesë iu gjet dhe iu bllokua 0,55 gr heroinë. Shtetasi në fjalë ishte identifikuar si autor i dyshuar edhe lidhur me vjedhjen më 15 nëntor 2013 të banesës së shtetases M. Xh., 55 vjeçe, banuese në Durrës. Asaj i ishin marrë dy dritare duralumini, që u gjetën dhe u bllokuan në banesën e të dyshuarit. Krahas veprës penale që lidhet me substancën narkotike, ky shtetas akuzohet edhe për veprën penale të vjedhjes. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për E. Ç., 18 vjeç, banues në lagjen nr. 5 Durrës, sepse në orën 19.00, në lagjen 11 të qytetit iu gjet e bllokua 1.10 gramë kanabis.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/