DURRËS, 14 korrik 2014 –  Shkon në dy numri i ankimimeve në Komisionin e Prokurimit Publik ndaj tenderit të bashkisë së Durrësit për realizimin e korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia”,  i zhvilluar më 22 maj 2014.

KPP (Komisioni i Prokurimit Publik) njofton se më 11 korrik 2014 në këtë institucion është protokolluar ankimimi me numër 1228 i operatorit ekonomik privat “Nika” shpk ndaj prokurimit publik të bashkisë së Durrësit për realizimin e korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimit në rrugën “Pavarësia” në Plazhin e Durrësit.

Është ankesa e dytë për këtë tender.

Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u, më 3 korrik 2014, me nr. 1187 protokolli, është ankuar ofertuesi “Curri” shpk.

Kuptohet, prokurimi i zhvilluar më 22 maj 2014, do të ngjallte pakënaqësi për arsye të një fondi publik të buxhetit të shtetit me vlerën e konsiderueshme prej 170 440 260 lekë (1,2 milion euro).

Është interesante se subjekti “Nika” shpk, po më 11 korrik 2014, tani me nr. protokolli plus një nga ai për Durrësin, 1229, është “qarë” dhe për bashkinë e Elbasanit për tenderin e lyerjes dhe suvatimit të fasadave në qendër në bulevardin “Aqif Pasha” dhe rrugën “Qemal Stafa”, me fond limit 40 183 615 lekë, njofton KPP-ja.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/