16 qershor 2015 – Vangjush Dako është takuar me banorët e lagjes nr. 18 të Durrësit, një lagje mjaft problematike para pak vitesh përsa i përket infrastrukturës. Duke folur për këtë çështje, kandidati socialist u ka kërkuar banorëve të pranishëm në takim të risjellin në kujtesë problemet e shumta që lidheshin me rrugët me gropa, bllokimin e pusetave, përmbytjet e mungesën e ujit të pijshëm dhe më pas tregoi se sot është një situatë krejt tjetër.
Por, përveç ndryshimeve që kanë ndodhur në këtë lagje të madhe, Dako deklaroi se do të realizohen edhe disa projekte të tjera konkrete për këtë zonë, një prej të cilave është izolimi me sistemin kapot për të gjithë pallatet parafabrikate.
Sipas Dakos, të gjitha pallatet parafabrikate në lagjen nr. 18 do të suvatohen nga jashtë dhe do të izolohen me polisterol, çka do të kursejë ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike për familjet që banojnë në këto pallate. Projekti në fjalë është një projekt ekologjik që rrit cilësinë e jetës për banorët, sidomos gjatë dimrit, pasi pallatet e ndërtuara sipas modelit parafabrikat për shkak të materialeve të ndërtimit që janë përdorur, janë të ftohtë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/