Mbi 120 fëmijë nga mosha 3 deri në 16 vjeç kanë dhuruar një shfaqje sa spektakolare po aq emocionuese për publikun, në edicionin e VII të i “Aldo Dance Festival” për fëmijë.
Aktiviteti, i cili vjen pas një pezullimi gati 2-vjeçar për shkak të kushteve të pandemisë u mbajt në arenën e Amfiteatrit Antik të Durrësit, tashmë i kthyer në një skenë të artit dhe kulturës.
Performanca e fëmijëve të talentuar duke performuar në skenë muzikë të trevave shqiptare si dhe kontemporan tërhoqi rreth vetes qindra spektatorë.
Oraganizatorët thanë se ky aktivitet i kishte munguar qytetit bregdetar.
“Pas dy viteve shumë të vështira, kjo ishte shfaqja e parë që u bë në Durrës, me fëmijët nga qyteti i Durrësit. Besoj se ia dolëm. Ishte një shfaqje e bukur, e mirë dhe që dhuroi shumë emocion. Jam shumë i lumtur që sollëm një shfaqje me 120 fëmijë nga qyteti i Durrësit”,- tha Aldo Aliaj, organizator i eventit kulturor.
Nga ana e saj, koreografia Kozeta Bakiu gjatë fjalës së rastit theksoi se “pas një periudhe shumë të vështirë që kaluam prej pandemisë, emocioni që të japin duartrokitjet dhe pritja mjaft e ngrohtë nga publiku është një nxitje më shumë për të punuar me fëmijët që janë e ardhmja e këtj vendi”.
Krahas qytetareve durrsakë, edicioni i VII i “Aldo Dance Festival” tërhoqi vëmendjen e pushuesve, të cilët mbërrijnë në këtë qytet për të kaluar pushimet verore.