DURRËS, 25 shkurt 2015 –  Nuk dihet se për çfarë arsye kryetari i PDSH-së Lulzim Basha ka dërguar në degën e PD-së një politikan veteran, por me profil të ulët, dhe “dele e urtë” si Edmond Spaho. Ndoshta, misionin më të vëshirë nga të 33 të deleguarit nëpër degë e ka Spaho. Thjesht, Durrësi ka hapur i pari “shishen me shejtanë”, që duhen mbledhur sërish bashkë e të futen andej nga kanë dalë! Durrësi vjen pas Tiranës, ka një fashë të re bregdetare nga Përroi i Agait në kufi me Kavajën në Ishëm. Kjo ka shtuar oreksin, pasi nuk është rastësi që nga seksionet të propozohen 50 kandidatura. Menaxhimi i situatës në degë nga ekonomisti Spaho duket një mision në kufijtë e të pamundurës, jo thjesht për shkak të klaneve / grupimeve, por ende nuk është marrë vetja nga disfatat e 2011-ës dhe 2013-ës. Motivimi i strukturave për një konsensus është detyrë parësore.

Mundet që me forcë kartoni dhe me diktat Tirane të gjendet një emër, i cili mendohet fitues. Por PD-së si në qytet ashtu dhe në fshatrat e Rrashbullit, Katundi të Ri, Sukthit dhe Ishmit i duhet një konsensus 100 për qind edhe i anëtarësisë, jo thjesht militantëve që nuk pyesin për emrin. Kërkohen kalkulime të sakta se sa ndikojnë pakënaqësitë e klaneve, abstenimet e veteranëve të degës dhe mbështetësve të Olldashit të ndjerë, larg qoftë ndonjë kandidat i pavarur, FRD-ja, elektorati gri.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/