28 shtator 2015 – Pesë muaj më parë, 29-vjeçari Eglis Barushi nga Durrësi u gjet i vdekur në banesën e tij. Ishte babai i viktimës ai që e gjeti pajetë të birin në shtëpinë e tyre më 30 prill.
Fillimisht u dyshua dhe u tha nga policia se Eglisi mund të kishte marrë mbidozë droge dhe kjo mund të ishte dhe arsyeja e vdekjes së tij.
Por, ka rezultuar që 29-vjeçari nuk ka përdorur as drogë dhe as alkool. Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nr.19 datë 22.06.2015 është arritur në konkluzionin se te kufoma nuk u konstatuan dëmtime të jashtme, por dëmtime të brendshme që kanë ardhur si pasojë e vuajtjes së organizmit nga sëmundjet e zemrës dhe pulmoneve.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Durrësit sqaron sot rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë viktima.
“Shkaku i vdekjes ka qenë insuficiensa kardio-respiratore akute dhe jo nga mdidoza, referuar informacionit paraprak.
Gjithashtu, nga kryerja e aktit të ekspertimit toksikologjiko-ligjor nr. 896 datë 19.06.2015 nga eksperti u arrit në përfundimin se në trupin e shtetasit të mësipërm nuk u zbulua prania e lëndëve helmuese klorganike, fostorganike dhe fotoksinës.
Në gjakun e tij nuk u zbulua prania e alkoolit si dhe nuk u zbulua prania e medikamenteve, lëndëve narkotike të grupit të opiateve”, thuhet në njoftimin e policisë.
/S.L. portali DurresLajm/





