DURRËS, 5 maj 2014– Aventurat e “Ushtarit të mirë Shvejk” do të vazhdojnë në Durrës, në shtator 2014, me një ekspeditë çeke për zbulimin e dy avulloreve të ish-Perandorisë së Habsburgëve të mbytura 96 vjet më parë në gjirin e Durrësit.

Kryetari i shoqatës kombëtare të detarëve "Adri-Jon", Dashamir Janina, i tha “Dyrrah”-ut se para disa ditësh dy historianë çekë kanë kontaktuar me autoritetet e portit të Durrësit dhe me atë vet.

Bashkatdhetarët e shkrimtarit aq familjar për shqiptarët, Jarosllav Hashek, i romanit “Ushtari i mirë Shvejk”, po përgatisin një ekspeditë çeke, që do të angazhojë edhe anije ushtarake të NATO-s për kërkime në gjirin e Durrësit deri në Rodon në muajin shtator 2014.

Në ujërat shqiptare, në fund të Luftës së Parë Botërore, në shkurt dhe maj 1918, janë mbytur dy anije transporti mallrash të Lloyd-it austriak.

Ishin anije të reja: Linz (Linz), ndërtuar në vitin 1909, me tonazh 3 820, ku humbën jetën nga një shpërthim 663 ushtarë dhe Bregenc (Bregenz, në foto para katastrofës), ndërtuar në vitin 1908, me tonazh 3 905, që u mbyt nga një silurë italiane, ku humbën jetën 234 ushtarë.

Boris Gol (në foto), një inxhinier mekanik me hobin e një historiani detar, ka konfirmuar për portalin e pavarur çek IDNES, më 3 dhjetor 2013, se ka tre vjet që po përgatit një ekspeditë në Shqipëri, ku gjatë Luftës së Parë Botërore, u mbytën dy avullore të mëdha austriake Linz dhe Bregenz.

Z. Gol është nga qyteti i Pardubice-s dhe thotë se mes të vdekurve në Adriatik para 96 vjetëve ka dhe bashkëqytetarë të tij.

Z. Boris Gol thotë se perandoria Autro-Hungareze, ku bënte pjesë që nga viti 1806 edhe ish-Mbretëria Bohemiane (Çeke), pas vitit 1866, filloi të ndërtojë një flotë të fortë, ku në ekuipazh bën pjesë kryesisht çekë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/