· Në janar-prill 2014, në terminalin e trageteve është realizuar një vëllim prej 231 366 tonë gjithsej, 11 255 tonë më tepër se 4-mujori 2013, me një rritje prej 5 për qind
DURRËS, 25 maj 2014 – Vërtet, më pak minerale për eksport, por Shqipëria ka dërguar më tepër tanga dhe të brendshme të tjera grash në Francë dhe Itali, rritja e rrugëve vajtje-ardhje (rejs) të trageteve me 21 të tilla në 4-mujorin 2014 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka ndikuar në rritjen e vëllimit të transportit të mallrave midis dy anëve të Adriatikut.
Sipas të dhënave zyrtare, në periudhën janar-prill 2014, në terminalin e trageteve të portit detar të Durrësit është realizuar një vëllim prej 231 366 tonë gjithsej, 11 255 tonë më tepër se 4-mujori 2013, me një rritje prej 5 për qind.
Në këtë shifër bie në sy se ka rritje si të mallrave të importit: 132 588 tonë kundrejt 127 643 tonë vitin e kaluar (4 për qind) dhe të eksportit 98 778 tonë kundrejt 92 468 tonë vjet (7 për qind).
Kjo rritje vëllimi të punës me ngarkesat ka ardhur dhe nga numri i prekjeve (rejseve): 307 me 286, ose 21 rrugë vajtje-ardhje më tepër, ose 7 për qind.
Nëse ka një rënie të numrit të trajlerave (301 të tillë më pak, ose me diferencë 12 për qind), këtu kanë përfituar kamionët, që shënuan vërtet një rritje 3 për qind, por ishin 553 copë më tepër.
Zakonisht kamionët i përdorin firmat e prodhimit të veshjeve (fasonë) për të çuar në tregjet evropiane edhe të brendshme grash (pëlqehen nga italianet dhe francezet sidomos tangat dhe sytjenat, që prodhohen në Berat, Tiranë dhe Durrës).
Ky fakt bie në sy se për këtë periudhë me anije mallrash janë transportuar për eksport më pak: 55 321 tonë mineral hekur-nikeli; 34 211 tonë çimento dhe 10 323 tonë llamarinë e prokate.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





