DURRËS, 19 gusht 2014 –  Gushti ka qene një sukses i madh për piktoren durrsake Shpresë Milaqi Bajko dhe galerinë që mban emrin e profesorit të saj Nikolet Vasia.

“E fshehur” në mbi dy dhjetëvjeçarë, piktorja 44-vjeçare Shpresë Milaqi (Bajko) ka “freskuar” jetën artistike të qytetit bregdetar, duke befasuar artdashësit, artistët pamorë, si dhe ish-mësuesit e saj në liceun / shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” (ish-Mujo Ulqinaku”) të Durrësit.

Ajo u prezantua ditët e para të gushtit 2014 në Durrës me ekspozitën e parë vetjake të titulluar “Ëndërr, pasion”.

Që nga fillimi i këtij muaji 50 punimet e paraqitura në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar kanë tërhequr vëmendjen dhe interesimin e artdashësve dhe pushuesve të shumtë.

Mes shikuesve ishin dhe figura të njohura të jetës artistike kombëtare si Agim Shami, Abaz Hado, Qazim Kërtusha, Idriz Balani etj.

Pjesa më e madhe e tablove janë frymëzuar nga peizazhet pranë Durrësit, ndërsa disa të tjera nga viset malore të veriut.

Piktorja 44-vjeçare ka përzgjedhur nga punimet e dy vjetëve të fundit edhe disa natyra të qeta, si dhe më pak kompozime e portrete, ku shquan ai me titull “Babai”. 

Tablotë me përmasa, kryesisht mesatare, dallojnë për tonet e qeta dhe ngjyrat e ngrohta.

Në arkivin e saj numërohen më shumë se 130 punime gjithsej.

/g. k. dhe th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/