DURRËS, 12 nëntor 2013 – Është e natyrshme që në Durrës të mbahet gjallë tradita e lundrimeve, kjo falë përpjekjeve të veteranëve të flotës tregtare. Më 12 nëntor 2013, në mjediset e galerisë së arteve pamore “Nikolet Vasija” të qytetit të Durrësit, shoqata detare “Adrijon” çeli ekspozitën “100 vjet Detari Shqiptare” që bën pjesë në ciklin “Detaria Shqiptare në Shekuj”. Në këtë veprimtari kishte një pjesëmarrje të pazakontë VIP-ash, si ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, prefekti Roland Xhelilaj, Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Spartak Braho, detarë veteranë dhe të rinj, familjarë, dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme. Kryebashkiaku Dako vlerësoi punën e organizatorëve për përcjelljen e traditës së detarisë durrsake dhe asaj shqiptare, ndërkohë që ministri Haxhinasto theksoi rëndësinë e rikrijimit të shkollës së detarisë, si pjesë e strategjisë për shfrytëzimin e kapaciteteve të mëdha, që paraqesin korridoret ndërkombëtare të transportit në vendin tonë. Në ceremoni përshëndeti prefekti i qarkut Roland Xhelilaj, sipas të cilit, një veprimtari e tillë rikthen në vëmendje një traditë të rëndësishme në shkallë kombëtare, e veçanërisht për qytetin e Durrësit. Kryetari i shoqatës detare “Adrijon”, Dashamir Janina tha se ekspozita është një shenjë nderimi dhe kujtese për të gjithë ata që punuan dhe sakrifikuan për krijimin, rritjen dhe modernizimin e Flotës sonë Tregtare. Evidentimi i tyre dhe përcjellja e kësaj tradite te detarët e rinj, përbëjnë detyrimet kryesore, që shoqata detare “Adrijon” i ka vënë vetes që në krijimin e saj, – shtoi Janina. Kjo ekspozitë synon t’i japë një shkëndijë tjetër dëshirës së shprehur kohë më parë për krijimin e një muzeu të detarisë shqiptare, siç e kanë të gjitha qytetet e mëdha portuale. Në 20 panelet e ekspozitës janë paraqitur me foto dhe dokumente momente të rëndësishme të historisë së detarisë shqiptare, veçanërisht gjatë 100 vjetëve të fundit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/