DURRËS, 6 qershor 2014 – Ekstradohen drejt Italisë katër shqiptarë të kërkuar nga drejtësia italiane, dy prej të cilëve nga Durrësi.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton se më 6 qershor 2014, rreth orës 11:00, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, u bë i mundur ekstradimi nga Shqipëria drejt Italisë i 4 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma.
Ata janë të dënuar për krime të rënda si pjesëmarrje në organizatë kriminale, shfrytëzim prostitucioni, trafik droge, vrasje, vjedhje me armë etj.
Arrestimi i këtyre shtetasve është kryer gjatë operacioneve të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit në muajt janar-shkurt 2014.
Në katërshe janë dhe dy durrsakë.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se më 27 janar 2014, ora 20.00 u kap Dashamir Lleshi, 29 vjeç, banues në lagjen nr. 16, Durrës. Për 29-vjeçarin kishte një urdhër arresti provizor me nr. A-63/1-2014, shpallur më 2 janar 2014 nga drejtësia “trengjyrëshe”. Gjykata e Apelit e Firences, me vendim nr. 3566/09 datë 12 tetor 2011, e ka dënuar me 10 vjet e 6 muaj heqje lirie për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe trafik lëndësh narkotike. Durrsaku ishte arratisur nga vendi i dënimit. Të shpallurit në kërkim ndërkombëtar i kanë mbetur për të kryer edhe 6 vjet, 5 muaj e 8 ditë burg, thanë forcat e zbatimit të ligjit në Durrës.
Më 10 shkurt 2014, ora 21.30, u bë arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi i Elton Balliut, 34 vjeç, banues në lagjen nr. 18 Durrës; person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe Shengen, pasi me urdhrin e ekzekutimit Nr. 117/2005 R.E.S Itali datë 25.03.2005, është dënuar me 26 vjet burg për vrasje dhe vjedhje me armë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





