Durrës, 14 qershor 2014 – Një vrasje me armë zjarri ka tronditur paraditen e sotme zonën e plazhit në qytetin e Durrësit. Një biznesmen ndërtimi është ekzekutuar me 5 plumba në afërsi të tregut në stacionin Hekurudha. Dy persona të maskuar kanë ekzekutuar biznesmenin me armë zjarri dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Krimi i rëndë është regjistruar rreth orës 10.30 minuta.
Sipas raportimit nga vendngjarja, mësohet se mbi viktimën kanë qëlluar dy persona të maskuar. Ata i kanë zënë pritë teksa dilte nga një dyqan dhe e kanë qëlluar me 5 plumba në kokë në momentin që 49-vjeçari Kujtim Dyrmishi u hipi në mjetin e tij, tip Benz me targa italiane DP411VF.
Dëshmitarët në vendngjarje thanë se dëgjuan 4-5 të shtëna me armë zjarri. Ndërsa autorët, sipas tyre janë larguar me një mjet tip Benz gri me targa kosovare 01204KS.
Policia e mbërritur në vendngjarje nuk ka dhënë ende detaje për vrasjen, por ka shoqëruar e dy persona. Në vendngjarje ndodhen edhe inspektorët e krimeve, ndërsa aksi Plepa-Durrës vazhdon të qëndrojë i bllokuar.
Ngjarja e sotme ka lidhje me vrasjen e biznesmenit të ndërtimit, Xhemal Çela, i cili u vra nga shpërthimi i tritolit që iu vendos në mjet, në të njëjtën zonë në Durrës, pak muaj më parë.
Sipas disa burimeve, Dyrmishi ishte ortak me Çelën në biznesin e ndërtimit.
Policia e Durrësit ka bërë të mundur gjetjen e automjetit me të cilin u larguan autorët nga vendi i krimit. Sipas burimeve, automjeti është gjetur i braktisur në një nënkalim në autostradë Durrës – Tiranë, në afërsi të Rrashbullit. Në mjet janë gjetur edhe armët e krimit.
Policia ka ngritur postblloqe të shumta dhe po bën krehjen e të gjithë zonës, për të bërë të mudnur kapjen e autorëve. Në hetime po marrin pjesë edhe efektivë të strukturës së Krimeve të Rënda. Ndërkohë grupi hetimor po punon për të zbardhur motivet e ekzekutimit të sotëm të biznesmenit Kujtim Dyrmishi.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/








