Durrës, 27 maj 2014 – Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.30, vetëm pak metra larg shtëpisë së tij në Xhafzotaj, persona të paidentifikuar ende nga policia ekzekutuan me armë zjarri 55 vjeçarin Arben Tollia. 55 vjeçari ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij në atë orë të vonë të natës kur u godit nga një breshëri plumbash para shkollës 9 vjeçare të komunës.

Ngjarja e rëndë krijoi panik tek banorët e zonës, që njoftuan menjëherë policinë. Pasi mbërriti në vendngjarje, policia rrethoi menjëherë vendin e krimit dhe identifikoi viktimën. Bëhej fjalë për 55 vjeçarin Arben Tollia, i divorcuar, person me precedent penalë. Tollia ishte liruar vetëm pak ditë më parë nga burgu, pasi vuajti dënimin prej 12 vitesh, i akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë dhe mashtrim.

Mendohet se në ekzekutimin e 55 vjeçarit ka marrë pjesë më shumë se një person, por policia ende nuk ka bërë të mundur identifikimin e autorëve të krimit. Sipas hetimeve të para, dyshohet se vrasësit e kanë pritur viktimën e tyre pranë shtëpisë së tij dhe sapo e kanë parë e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi.

Sipas policisë, pista më e mundshme mbetet hakmarrja, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera. Tollia akuzohet për përdhunimin e shumë femrave, kështu që sipas policisë ekzekutimi i tij mund të jetë bërë nga familjarët e ndonjërës prej femrave të abuzuara prej tij.

Kush ishte Arben Tollia?

Emri i Arben Tollisë u bë i njohur në opinionin publik kryesisht përmes shtypit, i cili i rezervoi një hapësirë të konsiderueshme Kazanovës shqiptare. Tollia u kap vite më parë, pasi disa femra kishin depozituar në polici denoncimin se ishin përdhunuar dhe mashtruar nga 55 vjeçari.

Vetë Tollia ka pranuar se ka pasur marrëdhënie intime me rreth 380 femra, por sipas tij, ai nuk ka përdhunuar asnjërën prej tyre, por ato kanë shkuar me të me dëshirë.

Gjatë procesit gjyqësor ndaj tij, u vërtetua se Arben Tollia prezantohej si biznesmen tek femrat, të cilave ua vinte syrin, për ta pasur me sa duket më të lehtë shoqërimin me to. Gjatë kohës kur kryenin marrëdhënie seksuale, Tollia shkrepte foto me femrat nudo, për t’i përdorur më pas si formë presioni, nëse ndonjëra prej tyre kërkonte ta denonconte më vonë në polici.

Kazanova shqiptar edhe pas hekurave të burgut ku ndodhej arriti të mashtronte një femër, të cilën e përdhunoi në periudhën kur fitoi një leje shpërblyese për të dalë disa ditë nga burgu.   

Tollia ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 12 vite burg për të paktën pesë raste përdhunimesh, ndërkohë që është deklaruar se ai ka abuzuar me shumë gra dhe vajza të tjera në Durrës, Elbasan dhe Lushnje. Vetëm në datë 11 maj të këtij viti ai la qelinë për t'u kthyer në shtëpinë e tij, por mesa duket vrasësit e tij nuk e lejuan të shijonte lirinë. 

Gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të tij, Tollia pati deklaruar se kishte kryer marrëdhënie seksuale edhe me gruan e një deputeti dhe një prokurori, por nuk dihet nëse këtë rast maniaku seksual thoshte të vërtetën apo kërkonte që përmes deklaratave të forta të tërhiqte edhe më shumë vëmendjen ndaj tij, si një Don Zhuan i thekur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/