Mësohet emri i drejtorit që do të administrojë Agjencinë e Parqeve Urbane.

“DurrësLajm” mëson se në krye të këtij institucioni të krijuar në fillim të këtij muaji është vendosur 49-vjeçari Alton Kasëmbi.

Kasëmbi ka nisur të administrojë që nga data 15 janar ndërmarrjen e re të krijuar nga bashkia Durrës, e cila për detyrë mirëmbajtjen e parqeve urbane të qytetit; “Eco Park” dhe “Vala Park”.

Drejtoria e re ka në organikë 131 punonjës, pjesa më e madhe e të cilëve kaluan në fillim të këtij muaji nga sektori i gjelbërimit pranë Ndërmarrjes Rruga tek Agjencia e Parqeve Urbane.

Mësohet se më parë, Alton Kasëmbi ka punuar pranë njësisë së Task Forcë për energjinë elektrike pranë OSHEE.

Ndërkohë në vitin 2016, Kasëmbi rezulton se është arrestuar së bashku me dy kolegë të tij, inspektorë pranë  Inspektoratit Qendror Teknik, pasi Prokuroria e Tiranës e akuzonte për “korrupsion pasiv”.

Aktualisht, siç e dëshmojnë edhe këto dokumente që “DurrësLajm” disponon, Kasëmbi rezulton i padënuar nga sistemi gjyqësor. Më poshtë gjeni dëshminë e penalitetit të tërhequr pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës në fillim të këtij viti.